Këngëtarët në ditën ndërkombëtare të “down”

21/03/2012 00:00

Dita ndërkombëtare e sindromës down, për të cilën emisioni i “Pasdites” foli edhe para disa ditësh në një emision shumë të ngrohtë, u festua sot në Tiranë në një mënyrë të organizuar, me ecje të gjata dhe një koncert me këngëtarë.

Midis këngëtarëve, asnjëri prej tyre nuk kërkoi pagesë për të kryer këtë akt të mirë bamirësie. Në botë, artistët, përveç talentit, bamirësinë e kanë armën e tyre më të fortë që ndihmon në promovimin e imazhit të tyre në publik, ndonëse shumë prej tyre janë të angazhuar në kauza të ndryshme jo vetëm për imazh, por edhe shpirtërisht.

Por, sa të gatshëm janë artistët tanë që të përdorin emrin e tyre për të ndërgjegjësuar publikun për çështje me interes jetësor? Pesë këngëtare dhanë përgjigjet e tyre.

Eliza Hoxha
“Nuk kam kërkuar para për të qenë këtu. Madje, kam humbur edhe dy ditë të punës sime në universitet në Prishtinë. Kam kuptuar ndër vite se përfshirja në fushata të tilla të ndryshme sociale është e mire, sidomos kur përfshihesh realisht dhe me krejt qënien tënde. Megjithatë, kam kuptuar me kohë se shumica e këngëtarëve e bëjnë sa për të qenë, sepse duhet. Shumica as që e dinë se përse janë nisur dhe po shkojnë në një koncert humanitar”.

Kamela Islamaj

“Jam e përfshirë në këtë koncert. Është një ngjarje bamirësie dhe kur u bë oferta isha e lumtur dhe pata një shkëndijë, ndaj erdha me dëshirë të madhe. Unë mund të them që artistët shqiptarë nuk bëjnë fare bamirësie, përfshi edhe mua, sepse qoftë për arsye pune nuk kam mundësi të mësoj kur ndodhin aktivitete dhe gjëra të tilla. Per kete arsye, kur e mësova sot isha me të vërtetë shumë e kënaqur. Do të kisha dëshirë të merresha me filantropi, por nuk kam realisht kohë fizike”.

Olta Boka
“Nuk kam qenë aspak në Tiranë këtë javë, por erdha me shumë kënaqësi për të qenë e pranishme në këtë ngjarje, kur më bënë ftesën. Kam ardhur realisht vetëm për këtë koncert”.

Era Rusi
“Kam pranuar edhe më parë nisma të tilla dhe kjo nuk është hera e parë që jap një shfaqje falas. Kam refuzuar një koncertin tim që ishte me pagesë, për të qenë më parë në një koncert bamirësie, sepse realisht besoj në qëllimin e këtyre aktiviteteve”.

Kejsi Tola
“Fatkeqësisht, nuk kam qëndruar afër ndonjë çështje të tillë ndonjëherë më parë”.

Top Channel