Cërrik, makina godet motoçikletën

21/03/2012 00:00

Një aksident rrugor është regjistruar pasditen e sotme në Cërrik, ku si pasojë kanë mbetur të plagosur dy persona që po udhëtonin me një motoçikletë.

Autoritetet lokale njoftojnë se shtetasit Viktor Floqi dhe Altin Cërraga, 23 dhe 30 vjeç, janë goditur nga pas nga një automjet me targa greke. Burimet bëjnë të ditur se dy të rinjtë janë dërguar në spitalin e Elbasanit, ku nuk janë në rrezik për jetën.

Ndër aksidentet e fundit rrugore të ndodhura në vend ka qenë ai i dy ditëve më parë, ku një 60-vjeçare nga Fushë-Kruja gjeti vdekjen teksa po transportohej për në banesë me një ambulancë, pasi kishte dalë nga spitali.

Në momentin kur po udhëtonte drejt banesës, automjeti u aksidentua në aksin Kamëz-Fushë-Krujë dhe e moshuara gjeti vdekjen.

60 vjeçarja po shkonte në banesën e saj në Nikël dhe mbahej nën trajtim intensiv nga ekipi mjekësor që po e shoqëronte.

Ndërsa më herët gjatë muajit, një grua që njihet si endacake dhe që policia e raporton si të sëmurë mendore u aksidentua rëndë në bulevardin kryesor të Tiranës.

Top Channel mundi të siguronte pamjet e filmuara me celular nga një kalimtar i rastit, i cili ishte dëshmitar i këtij aksidenti, dhe u interesua për identitetin e gruas.

Burimet policore nuk dhanë shumë detaje mbi identitetin e saj, por thanë se ajo përplasej për të pestën herë nga automjetet në mes të rrugës.

Ndërsa dëshmitarë okularë thanë se gruaja në mënyrë të beftë ishte shkëptur nga trotuari duke u sulur në rrugë, çka solli dhe aksidentimin e saj nga një automjet.

Ndërsa aksidenti më tragjik ishte ai i muajit të kaluar në autostradën Tiranë-Durrës, ku një makinë që doli nga rruga u përplas fortë me një bordurë, duke shkaktuar vdekjen e dy të rinjve dhe plagosjen rëndë të një tjetri.

Top Channel