Topi mesazh urimi homologut gjerman

20/03/2012 00:00

Kreu i shtetit Bamir Topi përmes një mesazhi ka uruar sot homologun e
tij Joahim Gauk për zgjedhjen e tij në postin e presidentit të
Gjermanisë. 

“Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t`Ju përcjell urimet më të ngrohta dhe miqësore me rastin e zgjedhjes suaj në postin e lartë të Presidentit të Republikës Federale të Gjermanisë”, thuhet në mesazhin e Topit.
 
Kreu shqiptar shton se fitorja dhe fillimi i mandatit të tij si President janë ngjarje shumë pozitive për kombin gjerman dhe do të influencojnë edhe në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve tona.  “Dëshiroj të shpreh dhe besimin tim se miqësia, partneriteti dhe bashkëpunimi i frytshëm midis Shqipërisë dhe Gjermanisë do të vazhdojnë të konsolidohen e të zhvillohen më tej, në interes të begatisë së dy popujve tanë miq dhe të përpjekjeve të përbashkëta për konsolidimin e demokracisë, lirisë, zhvillimit dhe të drejtave të njeriut në vendet tona si dhe në të gjithë rajonin e Ballkanit” thekson më tej Topi.

Top Channel