Sulmi ndaj TCH, KKRT: Kryetarja bëri lapsus

20/03/2012 00:00

Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizioneve Endira
Bushati ka sulmuar në mënyre të paprecedentë dhe të papërgjegjshme
mediat, më konkretisht televizionin Top Channel, gjatë prezantimit të
raportit vjetor të KKRT-së, në Komisionin Parlamentar të Medias dhe
Arsimit, duke ngritur akuza të pabaza dhe që cënojnë rëndë imazhin e tij
në raport me konkurrencën dhe në sy të publikut.

Zonja Bushati ka deklaruar ne menyre te papërgjegjshme, se televizioni Top Channel nuk ka kryer pagesën e tarifave të licensimit për vitin 2011.

“Po ritheksoj që me të ardhurat që kemi ne sot, sigurojmë edhe 5 muaj paga për punonjësit”, tha Bushati.

Deputetja socialiste Ledi Shamku: “Ju thoni se televizionet kombëtare nuk kanë paguar tarifat e licensimit. Mund të specifikoni se kush, cili televizion kombëtar?”

Bushati: “Klani nuk i ka paguar tarifat e licensimit, Top Channel i ka paguar tarifat në 2009, 2010, por nuk ka paguar të 2011, Top Albania Radio nuk ka paguar tarifat, VizionPlus ka paguar për pjesën satelitore, por nuk ka paguar për Tring-un satelitor. Problematikë konsiderohen programet “Zonë e Lirë”, “Portokalli”, “Big Brother”.Përsa i përket këtyre programeve me audiencë më të madhe, ka ankesa për respektim të etikës dhe të detyrimeve ligjore edhe në televizione të tjera lokale”.

Ne kundershtim me keto sulme te zonjes Bushati, per respekt te publikut Top Channel deklaron me pergjegjshmeri te plote se ka kryer te gjitha pagesat dhe ka permbushur detyrimet financiare ndaj KKRT-së, siç e deshmon edhe dokumentacioni dhe faturat të cilat vertetojne kalimin e detyrimit vjetor prej me shume se 6.8 milionë lekëve.

Gafen e rende, zonja Bushati eshte munduar ta korrigjoje pas seances ne Komision, çka tregon se ne rastin me te mire ajo ka shkuar e papergatitur per te raportuar para deputeteve, ndersa ne rastin me te keq, ajo ka keqinformuar me vetedije, per arsye qe vetem ajo mund t’i shpjegoje.

Gazetarja e TCH: Ju thatë që Top Channel është një nga televizionet që në 2011 nuk ka paguar tarifat e licensimit. I ka paguar televizioni Top Channel ato?

Bushati
: Jo. Thashë që i ka paguar jo në kohën e duhur. Televizioni Top Channel i ka paguar tarifat e licensimit, por jo në momentin që duhej t’i paguante.

Gazetarja e TCH: Aktualisht Top Channel është një nga institucionet që…

Bushati
: Po, po është në rregull me pagesat e tarifave.

Nje tjeter deklarate e rreme e zonjes Bushati ka qene edhe shkelja e etikës nga Top Channel.

Gazetarja e TCH
: Thatë se është shkelur etika në dy programe të Top Channel, tek “Portokallia” dhe tek “Big Brother”, që është një format ndërkombëtar. Ku konkretisht është shkelur etika në këto dy formate dhe a keni dërguar ankesa me shkrim në televizionin Top Channel?

Bushati: “Për emisionin “Portokalli”, po, kemi dërguar ankesa, ndërsa për emisionin “Big Brother”, mesa jam në dijeni është një emision në proces dhe është vlerësuar nga Drejtoria e Programeve, që ka momente ku pjesëmarrësit në program gjatë komunikimit, konsiderohet se shkelin etikën dhe komunikimi ka në përmbajtje çështje që mund të ndikojnë negativisht në shëndetin mendor dhe psiqik të fëmijëve”.

“Emisionit “Portokalli” në mënyrë të vazhdueshme i është tërhequr vëmendje dhe disa emisioneve të tjera po ashtu. Kemi dorezuar shkresa ankimimi për keto emisione”, tha Bushati më herët në Komision, gjatë një debati me deputetin socialist Alfred Dalipi.

Sërish, si në rastin e pagesës së tarifave, jashtë dyerve të Komisionit, zonja Bushati ka kërkuar të korrigjojë akuzat ndaj Top Channel, duke treguar përsëri mungesën e etikës të një zyrtari publik ne raport me operatorët televizivë.

Gazetarja e TCH: Ka patur elementë të caktuar që është shkelur etika dhe konkretisht ku?

Bushati: Më përpara ka patur goxha, Ne i kemi tërhequr disa herë vëmendjen dhe mendojmë që në situatën aktuale është përmirësuar goxha përmbajtja e emisionit.

Zonja Bushati, në cilësine e kryetares së KKRT-së nuk ka treguar asnjë rast të shkeljes së etikës. Në respekt të publikut, përballë këtyre akuzave dhe sulmeve të papërgjegjshme të zonjes Bushati, Top Channel është i detyruar perseri te deklaroje se prane zyrave te Top Channel, gjate vitit 2011 nuk ka ardhur asnje ankese apo verejtje zyrtare nga KKRT per shkelje te etikes, qoftë per programin “Portokalli”, qofte per reality show-n “Big Brother”.

Kryetarja e KKRT-së perpara se te bente publike keto akuza ndaj Top Channel, duhet qe me pare te saktesonte cilat kane qene rastet e shkeljes se etikes, duhet të tregonte se kur ka dërguar shkresa zyrtare me vërejtje në televizionin Top Channel dhe jo të hidhte balte mbi imazhin e tij.

Top Channel pretendon nga kryetarja e KKRT-së një pergenjeshtrim zyrtar për sulmet e pabazuara, sulme që kanë cenuar imazhin dhe qe kerkojne ta demtojne Top Channel ne raport me konkurrencen dhe perpara publikut. Ne rast te kundert, Top Channel deklaron se do t’i drejtohet organeve kompetente per te vene ne vend imazhin e cenuar.

KKRT: Kryetarja bëri lapsus

KKRT ka reaguar me një deklaratë pasditen e së martës ndaj kërkesës së Top Channel duke informuar se: Thëniet e kryetares së KKRT-së, Endira Bushati nuk duhen marrë të shkëputura nga konteksti në të cilin ka qenë diskutimi.

Më konkretisht për sa i përket komentit të televizionit në lidhje me vonesat në likuidimin e detyrimeve, kryetarja e KKRT-së ka ngritur shqetësimin për mjetet e kufizuara financiare që KKRT ka në dispozicion, si dhe problemin e mospagesës në kohë të detyrimeve financiare nga subjektet radiotelevizive.

Në vijim, thuhet në deklaratë, kryetares së KKRT-së i është kërkuar nga një deputete të përmendë emrat konkretë të operatorëve kombëtarë dhe kryetarja ka përmendur televizionin “Klan”, radion  “Top Albania” dhe televizionin “Top Channel”.

Për shkak të ndërprerjes së fjalës së kryetarit të KKRT-së nga disa deputetë, gjë që e tensionoi komunikimin, nuk u bë i mundur sqarimi i mëtejshëm ndërmjet vonesës në pagesë nga televizioni “Top Channel” dhe kryerjes pjesërisht të pagesës nga radio “Top Albania”, thuhet ne deklarate.

Lidhur me diskutimet për shkelje të etikës në programet “Portokalli” dhe “Big Brother”, KKRT bën me dije se ka pasur ankesa si nga publiku, ashtu edhe nga shoqata të ndryshme, vijon deklarata, por pa përmendur se cilat kanë qenë shoqatat që kanë bërë këto ankesa.

Si rezultat i këtyre ankesave, thuhet në sqarim, në muajin maj 2011 ka nisur një hetim administrativ ndaj televizionit “Top Channel” për spektaklin televiziv “Portokalli”, për shkelje të të drejtave të transmetimit, hetim administrativ ky që përfundoi me gjobitjen e  televizionit “Top Channel” në dhjetor 2011.

Duke qenë se synimi i KKRT-së nuk është penalizmi i operatorëve, por sjellja e tyre në harmoni me kërkesat ligjore, pavarësisht se rezultoi e provuar shkelja e të drejtave të transmetimit, nga ana e KKRT-së në mbledhjen e muajit janar 2012, televizionit “Top Channel” i është falur gjoba e vënë nga inspektorët e KKRT-së, shkruan kryetarja e KKRT.

Edhe pas kësaj deklarate të KKRT, Top Channel ndjehet sërish i detyruar të sqarojë se ka përmbushur në kohë detyrimet financiare ndaj këtij institucioni. Lidhur me hetimin administrative, që përmendet në deklaratë dhe gjobën ndaj televizionit për programin Portokalli, Top Channel deklaron se hetimi administrativ së pari nuk ka lidhje me etikën, por me një ankesë për përdorimin e sekuencave filmike në këtë spektakël dhe që lidhen me të drejtat e autorit.

Pas gjobës, Top Channel e ankimoi vendimin, duke paraqitur kontratën e firmosur me Arkivin Qendror Shtetëror të filmit për gjatë gjithë vitit 2011.

Për këtë arsye KKRT u detyrua që të anuloje vendimin e mëparshëm për gjobë dhe jo ta falë atë, sic shkruan KKRT me vendim unanim të 5 anëtarëve.

Së fundi, KKRT përfiton nga rasti t’u bëjë thirrje të gjithë subjekteve radio-televizivë, që përpara se të kalojnë në deklarata emocionale, të shlyejnë detyrimet e tyre financiare, sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi.

Top Channel