Olldashi: Në maj hapet tuneli i Krrabës

20/03/2012 00:00

Ministri i Transporteve Sokol Olldashi gjatë inspektimit të punimeve në
tunelin Elbasan-Tiranë u shpreh se deri tani tuneli është hapur në masën
66 për qind.

I shoqëruar në këtë inspektime dhe nga ministri i Mbrojtjes Arben Ibami dhe disa deputetë, Olldashi
njoftoi se në javët e para të majit në tunel, pjesë e aksit Tiranë-Elbasan, do të dalë dritë.

“Paralelisht punimet po vijojnë edhe në pjesën tjetër të rrugës. Nuk ka probleme me fondet dhe shpronësimet e tokave”, tha Olldashi.

Tuneli me gjatësi 4.3 kilometra do të anashkalojë rrugën ekzistuese në Qafën e Krrabës, e cila është ndërtuar fillimisht gjatë luftës së Parë Botërore nga ushtria Austro-Hungareze. Autostrada e re do të jetë e gjatë rreth 30 kilometra nga 54 kilometra që është aktualisht ky segment dhe do të lejojë shpejtësi lëvizjeje deri në 120 kilometra në orë.

I gjithë projekti pritet të kushtojë rreth 400 milionë dollarë. Qeveria shqiptare ka nënshkruar sakaq kontrata për kredi prej rreth 300 milionë dollarësh me disa financues arabë dhe me interes prej afërsisht 5 për qind në vit. Vetëm interesat e këtyre kredive do t’i kushtojnë taksapaguesve shqiptarë rreth 15 milionë dollarë në vit.

 

Top Channel