Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj tha se gjatë vitit të kaluar abuzimet me fondet publike ishin rreth 70 milionë dollarë. Por zoti Leskaj sqaroi se  pjesa dërrmuese e tyre vijnë nga borxhet e pambledhura të dy kompanive publike.

”Përkatësisht Albpetrol SH.A Fier, në vlerën 3 miliard e 336 milion lekë, shkaktuar nga moslikujdimi i detyrimeve të rrjedhura nga furnizimi me naftë bruto, gaz natyror dhe hollues deri më datën 31.12.2010 nga kompania ARMO SH.A. E dyta është Operatori i Sistemit të Transmetimit të Energjisë në Tiranë, në vlerën 1 miliard e 924 milion lekë moslikujdim i shërbimit të kryer për transmetimin e energjisë elektrike për periudhën nga privatizimi i OSSH-së, deri në 15/12/2010″, deklaroi kreu KLSH-së, Bujar Leskaj. 

Gjastë paraqitjes së raportit vjetor në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, Leskaj tha se Albpetrol nuk ka tentuar të ndërmarrë asnjë veprim ligjor ndaj ARMO-s për të mbledhur borxhet. Madje, sic sqaruan edhe ekspertët e KLSH-së, kompania shtetërore e naftës nuk ka hapur asnjë proces gjyqësor ndaj ARMO-s, duke ngritur pretendimet, sipas tyre absurde, se nuk kanë fonde për të ngritur padinë.

Top Channel