Bregu: Imuniteti të jetë kusht

20/03/2012 00:00

Në përfundim të takimit të tretë të Komitetit të Përbashkët të stabilizim-asociimit, Shqipëria ka marrë vlerësime pozitive nga Komisioni Europian.

Çështja është se në pamundësi të përmbushjes së 12 përparësive, sa dhe cilat prej tyre duhet të përmbushë Shqipëria, për të marrë statusin e vendit kandidat deri në vjeshtën e ardhshme?

“Gjatë muajve të fundit janë arritur rezultate, sidomos që nga muaji nëntor i 2011, por nuk duhet fshehur se ka ende shumë punë për të bërë. Ajo që dëshirojmë të shikojmë është që në një sërë elementësh prioritetesh kyç, të shohim ecuri në mënyrë që të na mundësojë ne për të dhënë një vlerësim pozitiv për Shqipërinë”, tha në fjalën e tij, Pierre Mirel, Drejtor për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerim të BE-së.

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, dukshëm e kënaqur nga vlerësimet e drejtor Mirelit, propozon që marrja e statusit të vendit kandidat të kushtëzohet posacërisht nga përmbushja e rekomandimit numër 8. Ky rekomandim flet për luftën kundër korrupsionit, nëpërmjet heqjes së imunitetit për gjyqtarët, ministrat dhe deputetët:

“Pra letë jetë ky testi dhe prova me e afërt për politikën shqiptare. Mazhoranca e ka shprehur vullnetin e saj se do të votojë cilëndo alternativë që opozita do të bjerë dakort për heqjen e imunitetit, qoftë kjo me ndryshim Kushtetute, apo me ndryshim të ligjit”, deklaroi Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu.

Ndjesia e përgjithshme pas kësaj konference për shtyp ishte se Shqipëria edhe mund ta marrë statusin e vendit kandidat në vjeshtë, nëse fryma e konsensusit politik mes mazhorancës dhe opozitës kurorëzohet me disa rezultate të tjera konkrete, si krijimi i Gjykatës Administrative, reforma e re zgjedhore, ndryshimi i rregullores së Parlamentit apo cështja e imunitetit.

Komiteti i Stabilizim-Asociimit është një strukurë e përbashkët mes Komisionit Europian dhe qeverisë shqiptare e ngritur pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit që për qëllim ka pikërisht mbikëqyrjen e realizimit nga Shqipëria të detyrimeve që rrjedhin nga MSA.

Top Channel