Proçeset integruese të Shqipërivë janë vënë përballë një tjetër provimi të rëndësishëm me BE-në. Gjatë takimit dyditor të nisur në Tiranë në kuadër të takimit të tretë të Komitetit për Stabilizim-Asociimin, institucionet shqiptare do të duhet të parashtrojnë atë çfarë ka prodhuar progresi politik i arritur mes palëve pas marrveshjes së nëntorit 2011 e në veçanti realizimin e 12 prioriteteve.

Në ditën e parë të “provimit europian”, zyrtarët e BE-së synojnë matjen e progresit në 7 prej 12 prioriteteve, ku përfshihet reforma zgjedhore dhe ajo parlamentare. Gjithashtu, përfaqësuesit e BE-së do të informohen edhe për progresin ekonomik së bashku me programin fiskal.

“Jam konfidente që progresi i arritur në realizimin e prioriteteve është i dukshëm dhe ne do të kemi mundësinë që këtë pasdite dhe ditën e nesërme të shikojmë funksionimin e Parlamentit. Gjithashtu do të kemi edhe lajme të mira nga komisioni i refomës elektorale, që deri më tani ka aprovuar disa kapituj të kësaj reforme siç janë marrëdhëniet me median apo dënimet e atyre që shkelin Kodin Zgjedhor”, deklaroi ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu.

“Dua të rikonformoj vullnetin e maxhorancës qeverisëse për çështjen e heqjes së imunitetit si një hap në luftën kundër korrupsionit. Zgjerimi është dhe do të mbetet i besueshëm vetëm atëherë nëse progresi ynë do të marrë një vlerësim të drejtë, pasi ky proçes kërkon një angazhim të besueshëm për transformimin dhe zhvillimin e Shqipërisë. Dhe unë besoj se kjo do të ndodhë në bazë të meritës, por le të shpresojmë të ndodhë në një kohë sa më të afërt për të gjithë ne”, theksoi ajo.

Ndërsa Pierre Mirelle, drejtor i Zgjerimit në BE për Ballkanin perëndimor, i cili udhëheq delegacion, u shpreh i kënaqur që Shqipëria çështjet e integrimit i cilëson prioritet kombëtar.

“Si zakonisht, në të tilla takime ne masim progresin në bazë të angazhimeve që burojnë nga Stabilizim-Asociimi, që ne e quajmë performancë të deritanishme në iplementimin e prioriteteve që i janë caktuar Shqipërisë në opininon e Komisionit Europian dy vjet më parë. Shqipëria e ka vlerësuar integrimin si një prioritet kombëtar. Një cilësim i tillë merr një rëndësi akoma më të veçantë në prag të 100-vjetorit të pavarsisë. Që ky proçes të jetë i suksesshëm dhe të realizohet ka edhe diçka akoma më të rëndësishme, duhet një konsensus kombëtar”, theksoi Mirelle.

“Ju keni një konsensus të fortë përsa i përket integrimit europian dhe ju e keni demonstruar këtë para tre vitesh me një rezolutë në Parlament, ku të gjitha palët e mbështetën. Në muajt e fundit ne kemi parë zhvillime pozitive siç ishte marrëveshja e nëntorit, e cila ka prodhuar rezultate inkurajuese që do të thotë se konsensusi për integrimin është përkthyer në veprime konkrete dhe reforma”, deklaroi ai.

Ndërkohë, ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi u shpreh se 12 prioritet padyshim janë sfida për Shqipërinë, por nuk duhet mjaftuar me realizimin e tyre. Po aq i rëndësishëm është përkthimi i tyre në veprime konkrete, ka theksuar ai.

Komiteti i Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, çështjet në diskutim:

1-Dialogu politik, përfundimi i planit kombëtar të veprimit

2-Funksionimi i Parlamentit, miratimi ligjeve

3-Reforma zgjedhore, mbarëvajtja e proçeseve zgjedhore

4-Lufta kundër korrupsionit

5-Reforma në drejtësi

6-Reforma në administratën publike

7-Cështjet e pronësisë

Top Channel