Rritja e çmimit të energjisë

19/03/2012 00:00

Autoriteti i Konkurrencës deklaroi se Enti Rregullator i Energjisë
vazhdon të mos e zbatojë rekomandimin, për të justifikuar vendimet për
rritjen e çmimit të energjisë.

“Rekomandimi nuk eshte marre parasysh nga ERE. Por është Komisioni Europian në progres raportin e vitit 2011, e shkruan në mënyrë të qartë, që ERE duhet të marrë në konsideratë rekomandimin e Autoritetit të Konkurrencës, specifikisht për këtë”, tha Lindita Lati, kryetare e AK.

Ky nuk është rasti i parë kur rekomandimet e Konkurrencës injorohen nga institucionet shtetërore. Pak kohë më parë, Autoriteti i kërkoi Bankës Qëndrore të rikthejë sportelet e tregtimit të bonove për qytetarët, por edhe ky rekomandim u injorua. Në këto kushte kryetarja Lati kërkon një zgjidhje ligjore për këtë ngërç.

“Autoriteti i Konkurrencës, rekomandimet qe vijne prej tij, ndoshta duhet të bëhen pjesë e diskutimit më të gjerë ndërinstitucional. Nëqoftëse me palët ne shtrojmë pyetje, se ku çertifikohet vendimi i Komisionerit të Konkurrencës, ne themi që është gjykata, atëherë pikërisht vendimet dhe rekomandimet e Autoritetit të Konkurrencës ndoshta mund të gjendet instrumenti juridik, për të ardhur dhe për t’u krahasuar opinionet dhe për të marrë një vendim të drejtpërdrejt”, tha Lati.

Gjatë paraqitjes së raportit vjetor në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, Autoriteti njoftoi se ka nisur zyrtarisht hetimin për çmimet e siguracioneve të makinave.

Zonja Lati tha se Autoriteti po heton njëkohësisht në disa tregje, mes të cilëve edhe atë të Transportit Ajror por edhe Energjisë. 

Top Channel