Romney kërkon fitoren në shtetin e Obamës

19/03/2012 17:40

Kandidati për të fituar emërimin e republikanëve për president, Mitt Romney, është duke zhvilluar një fushatë intensive në shtetin e Ilinoisit, me rëndësi jo vetëm në garën brenda partisë, por edhe për shkak të simbolikës së tij si shteti ku më parë ka qenë guvernator Barack Obama.

Për ish-guvernatorin e Masaçusetsit, gara në Ilinois vjen pas suksesit të bindshëm në Puerto Riko, ku me 61% të votave të numëruara, siguroi 83% të preferencave. Rivali kryesor në luftën për të fituar të drejtën për të sfiduar Obamën në zgjedhjet e nëntorit, Rick Santorum, siguroi vetëm 8%.

Gara brenda Partisë Republikane vazhdon, ndërsa grupi elektoral të Obamës informoi se ka grumbulluar 45 milionë dollarë në shkurt, për t’i përdorur në fushatën zgjedhore.

Një javë më parë, një ndihmës i afërt i Romney i bëri thirrje rivalëve të tjerë që të tërhiqen, për t’i dhënë më shumë kohë guvernatorit që të sigurojë fonde dhe që të përpunojë programin e tij për t’u bërë president. “Santorum, Paul dhe Gingrich duhet të shohin realitetin në sy. Probabiliteti është i qartë dhe duke mos hequr dorë, vetëm sa ndihmojnë Obamën që të qëndrojë në pushtet”, deklaroi ai.

Pas fitores së Santorum në Misisipi dhe Alabama një javë më parë, ekspertët vlerësojnë se Ilinoisi, me kryeqytet Çikagon, do të jetë vendimtar në garën presidenciale.

Në mënyrë që të fitojë emërimin, një kandidat duhet të grumbullojë një mbështetje të tillë me vota që përkthehet me 1 144 delegatë. Me suksesin e Puerto Rikos, Romnet llogarit 521 delegatë, ndjekur nga Santorum me 253, Gingrich me 136 dhe Ron Paul me 50 të tillë.

Top Channel