Kostot fatale të duhanit

19/03/2012 00:00

Ndonëse të varfër, shqiptarët konsumojnë duhan, pa i bërë llogaritë për koston financiare dhe shëndetësore.

Sipas llogaritjeve të bëra nga Instituti i Shëndetit Publik, ndonëse jemi vendi me çmimin më të lirë të cigareve, ne si popull shpenzojmë shumë për duhan, pasi konsumohet nga një deri në tre paketa në ditë, me një çmim mesatar 200 lekë për paketë. Po çfarë ndodh kur në një familje ka më shumë se një duhanpirës? Ndonëse llogarite financiare janë private, dëmet shëndetësore prekin edhe ata që nuk e konsumojnë duhanin.

“Ka duhanpirës që me 2 paketa në ditë, për një periudhe kohe 30 vjet harxhojnë nga 44 mijë dollarë. Nëse pijnë 3 paketa në ditë tarifa shkon 75 mijë dollarë. Kjo është vetëm kosto ekonomike që i shkakton xhepit të duhanpirësit, pa llogaritur dëmin e madh që i shkakton shëndetit. Mbi 3 mijë persona vdesin në vit nga sëmundshmëritë që shkakton vetëm duhani. Duhani nënkuptohet edhe pirja aktive dhe pasive, pra e atyre personave që thithin tymin e konsumatorëve të tjerë”, thotë Roland Shuperka, specialist i antiduhanit, pranë ISHP-së.

Ligji Antiduhan duket se pengoi disi konsumin në ambientet e brendshme, por kjo vetëm për pak kohë, pasi në të gjithë lokalet, baret apo restorantet tashmë askush nuk të pengon. Shuperka shprehet optimist për ligjin pasi thotë se u provua që është i zbatueshem dhe vetem pasi te kalojne 4 muaj do te jene pronaret e lokaleve qe nuk do te lejojne te konsumohet duhan brenda ambienteve te tyre, pasi kaq eshte koha kur gjoba e vene kthehet ne titull ekzekutiv që vilet nga përmbarimi.

“Task Forca tregoi që ky ligj është i zbatueshëm. Në rast se një subjekt është gjobitur sot dhe nuk i ka derdhur paratë në mënyrë vullnetare, këtij subjekti brenda 4 muajsh do t’i bllokohet llogaria bankare, do t’i sekuestrohen mjetet e punës deri sa të shlyejë detyrimin”, tha Shuperka.

Taks Force qe funksionoi vetëm 4 muaj ka vendosur gjithsej 230 gjoba, nga të cilat 60 janë paguar vullnetarisht, ndërkohë që pjesa tjetër do të vilet nga përmbarimi.

 

Top Channel