Itali, vriten dy shqiptarë

18/03/2012 12:30

Dy shqiptarë u vranë me kallashnikov në qytetin italian të Vixhevanos, pranë Pavias, informuan burime policore gjatë së dielës.

Sipas “Corriere della Sera”, dy shqiptarët, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur, ishin në moshën 36 dhe 25 vjeç. Një person i tretë, 30-vjeçar, mbeti i plagosur nga breshëria e lëshuar prej vrasësve të paidentifikuar.

Sipas policisë, që ka gjetur armën dhe gëzhojat e hedhura përtokë, është e sigurt se vrasja është një vepër e stilit mafioz, e urdhëruar nga qarqet e mafias shqiptare. Besohet se të rinjtë u ekzekutuan si shkak i konkurrencës për xhiron e prostitucionit.

Tre muaj më parë, një tjetër shqiptar u vra më pistoletë në një lokal publik në Vixhevano. Tre vrasësit, të arrestuar, ishin edhe ata shqiptarë, që pasi e përqafuan të njohurin e tyre, e qëlluan me një plumb të vetëm fatal në kokë.

Top Channel