Vjedhjet, Elbasan, dy në pranga

17/03/2012 00:00

Dy të rinj kanë përfunduar në prangat e policisë në qytetin e Elbasanit nën akuzën e vjedhjes. 22-vjecari, Alfons Golemi dyshohet si autori i vjedhjes së një sasie të konsiderueshme parash nga banesa e shtetasit K. Skopeci, ndërsa shtetasi tjetër, Anest Alia, 28 vjec, akuzohet për vjedhje skrapi e elektromotorash në Uzinën 12 në Metalurgjik.

Ata u prangosën ditën e shtunë. Policia thotë se ka të dhëna të mjaftueshme për të besuar se dy të rinjtë janë autorë të dy vjedhjeve.

Hetimet janë zgjeruar për të mësuar nëse ata kanë gisht apo jo në disa vjedhje të pazbardhura në qytetin e Elbasanit.

Krimi i vjedhjes ka pësuar një rritje të ndjeshme muajt e fundit në vend. Kjo konfirmohet edhe nga raportet më të fundit të uniformave blu. Ekspertët shprehen se shkak i rritjes së kësaj vepre penale, që ushtrohet kryesisht nga moshat e reja, është mungesa e punës.

Rasti më i fundit i vjedhjes apo grabitjes së hekurave për skrap, që përfundoi tragjikisht për dy autorët, ishte ai i regjistruar ditën e enjte në fshatin Krrabë në rrethin e Tiranës. Dy të rinj, 16-vjecari Ardian Peci dhe 23-vjecari Valter Hasmuça tentuan të marrin për skrap materialet metalike në një transformator të tensionit të lartë.

Fatkeqësisht ata ranë në kontak me rrymën elektrike, e për pasojë gjetën vdekjen e menjëhershme. 

Top Channel