Kukës, zhduket në mënyrë misterioze 40-vjeçarja

16/03/2012 00:00

Një 40-vjeçare, nënë e tre fëmijëve, është zhdukur nga banesa e saj në
Kukës, ndërkohë që në mjediset e shtëpisë është gjendur një thikë e
përgjakur dhe njolla gjaku në dysheme.

Sipas policisë lokale familjarët kanë deklaruar se në shtëpi mungonin 300 mijë lekë. Alarmin për zhdukjen e R.Rexhematit, e ka dhënë bashkëshorti i saj, i cili u ka rrëfyer uniformave blu se i biri 12-vjeçar kur është kthyer nga shkolla, nuk ka mundur të gjejë të ëmën në shtëpi dhe ka pikasur njollat e gjakut.

Efektivët blu kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërkohë që janë ngritur postblloqe në hyrje-daljet e qytetit.

Gjatë kontrollit në shtëpi, një banesë e katit të parë të një pallati shumëkatësh, policia ka sekuestruar thikën e përgjakur, si dhe ka pyetur një numër të konsiderueshëm fqinjësh, të cilët kanë deklaruar se nuk kishin dëgjuar asnjë zhurmë të çuditshme. Ndërkohë është kërkuar në zonën e liqenit përreth Kukësit, për të gjetur gruan e zhdukur në mënyrë misterioze. Policia po punon për pistën e grabitjes dhe marrjes peng, ndërkohë që nuk përjashtohet as mundësia e ndonjë rrengu.

Top Channel