Një nënë në kërkim të drejtësisë

15/03/2012 00:00

Zamira Durda është një nga familjarët që humbën të afërmit në tragjedinë
e Gërdecit. Ajo ka humbur djalin e saj 7-vjeçar, dhimbja për të cilin e
shndërruan në heroinën e përpjekjeve për të kërkuar drejtësinë e
vërtetë.

Ajo ka drejtuar për katër vjet me radhë protestat për moszvarritjen e hetimeve dhe gjykimit, ndërsa ditën e vendimit të gjykatës, u rebelua në sallën e gjyqit.

Zamira ruan në sirtar të gjitha sendet e të birit, Erisonit i cili u vra nga predhat në Gërdec. Që nga lodrat, këpuca e tij e vetme, që i mbeti në afërsi të vendngjarjes dhe abetarja e tij, që mbeti pergjithmone tek shkronja “th”.

Kur ne Gjykaten e Tiranes nisi historia e paprecedente e zvarritjes se procesit gjyqesor, Zamira Durda, u shderrua ne simbolin e protestes per kerkimin e drejtesise. Protesta para gjykates, padi dhe protesta para Prokurorise se Pergjithshme. Ne menyre sistematike ajo shnderroi ne kazus protesten e ndaj padrejtesise qe po behej me Gerdecin.

“Unë po e kërkoj drejtesine në bazë të rregullave. Kam 4 vjet që kam ndjekur rregullat e këtij shteti. Do ta kërkoj drejtësinë, në bazë të rregullave, ama në fund, nëse nuk marr drejtësi, Zamira e di vetë…Unë akuzoj shtetin sepse kishin për detyrë të na mbronin. Ne nuk ishim në gjenjde lufte që unë ta mbroja fëmijën. Kemi institucione shtetërore që paguajmë për të na mbrojtur jetën. Përse nuk duhet unë të kërkoj drejtësi? Kush e vrau tim bir, përse e vrau? Këto institucione nuk kanë kthyer përgjigje as pozitive, as negative. I kam dërguar letër të hapur Presidentit, në Kuvend ka letra te familjareve, në Kryeministri ka letra…nuk ka asnjë reagim, asnjë përgjigje”, thotë Zamira.

Zamira Durda ka humbur ne tragjedine e 15 marsit 2008, perveç te birit, te atin dhe kunaten.Që prej asaj dite ajo kurohet per te mbajtur nen kontroll, te pakten ankthin.

“Vazhdoj mjekohem edhe sot, por kam ulur dozën e mjekimit. Ilaçet i marr kundër stresit, ankthit dhe bllokimit në kraharor”, thotë Zamira.

Kjo grua eshte e vetmja qe i ka ndjekur te gjitha seancat gjyqesore. Ka qene prezente ne te gjitha deshtimet dhe ka ngritur zerin ne salle pas cdo shtyrjeje, nga njera gjykate ne tjetren.

Ajo ishte edhe ne senacen e fundit, kur gjykata dha vendimin, duke i denuar te akuzuarit vetem per demtim te prones dhe shperdorim detyre. Pas tre vjetesh proces gjyqesor,asaj nuk iu dha asnje pergjigje dhe askush nuk u denua per vrasje, edhe pse aty mbeten te vrare 26 njerez.

“Gjyqtari nuk reagoi fare për viktimat, por na foli për shkatërrimin e shtëpive, për mure rrethuese, për toka, për kasollet e lopëve, se ato janë më të rëndësishme për jetët e njerëzve. Ne kemi gjënë më të lirë jetën dhe mbrojmë pasurinë. Pergjegjes janë institucionet shtetërore, që nga komandanti i Forcave të Armatosura. Nuk e dinte ai se ku shkon armatimi që është nëpër depo?”, thotë Zamira Durda.

Top Channel