Ndotja e përrenjve, asnjë masë për pastrimin

15/03/2012 00:00

Të gjithë përrenjtë brenda qytetit të Gjirokastrës janë të bllokuar nga
qindra tonelata plehra që janë hedhur pa kriter prej banorëve të lagjeve
të sipërme të paktën gjatë 10 viteve të fundit.

Sipas specialistëve të mjedisit në të paktën 3 përrenj të rrethuar nga banesa në Gjirokastër derdhen rreth 3 ton plehra cdo ditë. E gjithë ndotja që destinohet për në lumë fillimisht bllokon shtratin e përrenjve dhe gjatë ditëve me shi derdh shumë ndotje edhe në rrugët e qytetit.

Bashkia e Gjirokastrës sipas të gjitha të dhënave zyrtare mbetet ndotësja kryesore e lumit Drino. Burime nga sektori i shërbimeve bëjnë me dije se pastrimi i përrenjve ka një kosto të papërballueshme prej bashkisë, ndërsa lagjet e sipërme janë të pajisura me kosha dhe vendgrumbullime të caktura për mbeturinat. Vetë banorët e vënë theksin edhe tek ndërgjegjja e ulët qytetare.

Bashkia nga ana tjetër pretendon se nuk disponon asnjë hapësirë ligjore detyruese për shlyerjen e gjobave që mund të vendosen për ndotësit. Në 10 vitet e fundit autoritetet e shërbimeve thonë se kanë vendosur shumë gjoba por nuk kanë mundur të vjelin asnjë prej tyre sepse mungojnë kompetencat detyruese.

Top Channel