Ligji i ri, cfarë humbasin invalidët?

15/03/2012 00:00

Por cfarë humbën personat me aftësi të kufizuar, tetraplegjikët, paraplegjikët dhe të verbërit nga miratimi i ligjit të ri për ta?

Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje i ftuar në studio gjatë edicionit të lajmeve në Top Channel, ishte kryetari i Shoqatës së të Verbërve, Sinan Tafaj.

Zoti Tafaj e cilësoi ditën e enjtë si një ditë të zesë për të gjithë personat me aftësi të kufizuar.

“Sot ka qenë një ditë e zesë për të gjithë personat me aftësi të kufizuar. Sot ata, ne të gjithë, humbëm të drejta që kemi gëzuar prej 15 vitesh si rimbursimin e energjisë elektrike, transport falas, sasi impulsesh për komunikimin telefonik etj”, tha zoti Tafaj.

Më tej kreu i Shoqatës së të Verbërve foli për abuzimet që bëhen me listat e personave me aftësi të kufizuar, abuzime që vetë kjo shoqatë i ka denoncuar në prokurori.

Tafaj tha se për abuzimet nuk mban përgjegjësi shoqata pasi listat hartohen nga institucionet shtetërore në bashkëpunim me ato private.

“Abuzime ka patur dhe ka. Por përgjegjësia në mënyrë absolute nuk bie mbi ne pasi ne nuk menaxhojmë procesin. Përgjegjësia bie mbi kompaninë CEZ dhe institucionet publike që nuk kanë respektuar ligjet dhe aktet ligjore. Ne nuk bëjmë listat”, shtoi Tafaj.

Sa i përket denoncimit të Shoqatës së të Verbërve bërë në prokurori për kallëzimet konkrete, Tafaj tha se ato, sipas ligjeve nuk përbëjnë vepër penale dhe tregoi se ata ende nuk janë thërritur për të dëshmuar.

Top Channel