Kur flamujt digjen online

14/03/2012 00:00

Valbona Sulçe – Në pak minuta videoja e dy personave me maskë që djegin një flamur
shqiptar, duke bërë thirrje për zhdukjen e tyre, bëri xhiron e botës.

Dhe kjo, falë mediave, të cilat me një lehtësi shqetësuese shumëfishuan mesazhin racist të asaj videoje që ishte publikuar në një kanal interneti ku njerëzit mund të postojnë çdo gjë, që nga rënia e zjarrit në një magazinë deri te të brendshmet e fundit që kanë blerë. Pse duhet të përcillej me kaq zell kjo video pa bërë asnjë hulumtim të mëtejshëm? Të çmendur ka plot, ksenofobë sa të duash, racistë me kile. Një media serioze dhe e përgjegjshme nuk merr të botojë a të transmetojë “copy paste” çdo gjë që gjen online, por vetëm nëse ajo që kanë gjetur përbën një ngjarje, e cila ia vlen që t’i kumtohet publikut të gjerë.

Nëse bën një kërkim të thjeshtë në internet me emrin e kësaj të ashtuquajture organizatë, “Hristianska Organizacija” të dalin 558 rezultate dhe 98% e tyre kanë lidhje me videon, e cila është ripublikuar nga media të rëndësishme të Shqipërisë. Shikoni çfarë jehone i është bërë pa dashje kësaj videoje, që nëse do të ishte lënë midis 1 milion videove të tjera, do të kishte humbur! Një publicitet për t’u pasur zili! Dhe pa asnjë kosto! Ajo që të bie në sy është teksti i këtij lajmi, i cili shfaqet pikë për pikë në të gjitha sajtet. Një tekst që përshkruan veprimin e protagonistëve: dy persona me maskë, me muzikë liturgjie në sfond, i vënë zjarrin flamurit shqiptar dhe mesazhi është përkthyer me titra në anglisht. Ku është gazetaria këtu? Gazetari do të ishte po të na shpjegonin ç’është kjo organizatë, sa kohë ka që vepron, sa anëtarë ka, çfarë ka bërë më parë, çfarë informatash ka policia maqedonase për këtë etj., etj. Nëse të dhënat do të ishin të një përmase që justifikonin ngritjen e alarmit, atëherë po, mund ta kishin shfaqur videon. Të marrësh të shfaqësh të parën video që të bie në dorë, me synimin për të ngjallur interes, mund të quhet çdo gjë, por jo gazetari. Nëse ju duhet një model, shikoni si vepronte media perëndimore me videot e Bin Ladenit, ish-terroristit numër një në botë. Vetëm pas një shqyrtimi tepër të kujdesshëm, vendosej nëse do të transmetoheshin apo jo. Organizatat ekstremiste mund ta shfrytëzojnë internetin për të shpërndarë mesazhet e tyre, po synimi i tyre është që të arrijnë mediat kryesore, pasi nëpërmjet tyre arrijnë më shumë njerëz dhe faktorizohen.

Për fat të keq, konteksti ndëretnik në Maqedoni është i rënduar nga rrahja e një grupi nxënësish dhe vrasja e një shqiptari nga një polic maqedonas. Kjo duhet ta bëjë median dy herë më të kujdesshme në raportimin e ngjarjeve. Nuk ka truall më të përshtatshëm se Ballkani për nxitjen e urrejtjes ndëretnike. Rajoni ende nuk e ka marrë veten nga luftërat e përgjakshme të pas ’90-s. Prandaj lehtësia me të cilën përcillen këto lajme në Shqipëri është shqetësuese. Nëse duam vërtet që të raportojmë për ngritjen e tensionit midis shqiptarëve dhe maqedonasve në Maqedoni, ka plot mënyra që janë objektive, të paanshme dhe të ndershme. Të veprosh në këtë mënyrë do të thotë t’i hedhësh benzinë zjarrit. Shqiptarët nuk duhet të bien pre e provokimeve. Një ndër virtytet tona më të mira është se kurrë nuk kemi nxitur urrejtje, kurrë s’kemi qenë protagonistë shfaqjesh me djegie flamurësh, as në realitet, e as online. Dhe kjo na bën nder. Siç është marre për ata që vazhdojnë të djegin flamuj në shekullin XXI, me çorape në fytyrë dhe me titra anglisht.

Gazeta “Shqip”

Top Channel