Dy mandate janë shumë, një është pak

14/03/2012 00:00

Ndrek Gjini – Për një vend si Shqipëria, qëndrimi në pushtet i një force politike veç një mandat katërvjeçar, është pak. Dy janë shumë.

Ky postulat e ka provuar katërcipërisht vërtetësinë e tij në këto 22 vitet e fundit. PPSH, në vitin 1991, nuk e mbaroi dot mandatin e saj katërvjeçar. Dhe, mendoj se, për një mijë e një arsye, nuk kishte kuptim ta mbaronte.

Liderët e kësaj force politike 50-vjeçare, në atë kohë menduan se, për t’u larguar nga hija e diktaturës komuniste, kësaj partie do t’i mjaftonte vetëm ndërrimi i emrit nga PPSH në PSSH, dhe kaq.

Në mars të 1992-shit u bënë zgjedhje të parakohshme. Ato i fitoi opozita, (Partia Demokratike). Kjo forcë politike e mbaroi mandatin e parë katërvjeçar. Por, në këtë katërvjeçar ndodhën shumë ngjarje politike që dëshmuan atë që PPSH me emrin e saj të ri PSSH, megjithëse në opozitë, kishte një mbështetje të admirueshme në popull.

Kjo, mendoj për shkak të dhimbjes, kaosit dhe paqartësisë, që shkaktuan reformat e domosdoshme të kalimit nga një sistem ekstrem komunisto-shtetëror në një sistem kapitalist, ku zot janë ligji dhe prona private. Veç pak muaj pas fitores plebishitare të PD-së, në zgjedhjet e para të lira lokale, PS-ja fitoi në shumë bashki e komuna. Ish-kryeministri i asaj kohe, Aleksandër Meksi, e pat etiketuar këtë fitore të socialistëve si “Kundërevolucioni i sapunit”. Kjo, për shkak të mungesave të mëdha në treg gjatë atyre muajve. Për hir të së vërtetës, duhet thënë se pati një periudhë prej më se njëmujore që në treg mungonte fare sapuni. Sot na vjen për të qeshur me këtë fakt. Por e vërteta është se ky asortiment ishte dhe është në çdo kohë, një nevojë jetike. Më pas, PS-ja ‘fitoi’ edhe “rrëzimin e referendumit për Kushtetutën”. Pas “rrëzimit” të këtij referendumi, PD-ja punoi shumë për t’i zbutur efektet e kësaj humbjeje. Nga 1994-a deri në 1996-n Shqipëria përjetoi dy vitet më të mira të këtyre dy dekadave të fundit. Kjo, në aspektin e arritjeve ekonomike dhe atyre politike. Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, për shembull, që po rrekemi kaq shumë sot ta marrim, bëhej fjalë ta merrnim në fund të ‘96-s apo në fillim të ’97-s, po të mos ia nxirrnim sytë vetes me ato bëmat e pranverës së ’97-s.

PD-ja dhe Berisha provuan të marrin një mandat të dytë qeverisjeje në ’96-n, të cilin mendonin se e meritonin. Këtë ndjesi ato e kishin pikërisht për shkak të mirëqenies që ishte krijuar dhe arritjeve politike në integrimin e vendit. Mirëpo liderët e rinj të PPSH-së, të pagëzuar tanimë me emrin e ri PSSH, nuk mund të duronin më gjatë në opozitë. Kjo, pasi ata ishin të ndërgjegjshëm, se ky lloj kapitalizmi që po lulëzonte, mund ta rrudhte aq shumë forcën politike që ata drejtonin, sa mund edhe të bëhej një ‘parti e tretë’. Dhe për rrjedhojë, ëndrra për të riardhur në pushtet me votë të lirë, do të vdiste për to një herë e përgjithmonë.

Siç e thashë më lart, pas ’91-shit, PS-ja kish shijuar dy ‘fitore’, zgjedhjet lokale dhe rrëzimin e referendumit për Kushtetutën, kështu që liderët e PS-së kishin një farë bindjeje se po të nisin një revolucion të dhunshëm e kanë gati mbështetjen popullore.

Liderët e PS-së ishin të ndërgjegjshëm plotësisht që zgjedhjet e përgjithshme të ’96-s do t’i humbnin. Ndaj dhe bënë gati planin e prishjes së këtyre zgjedhjeve. Dehja nga sukseset, si dhe një dozë fodullëku, e zuri qeverinë e PD-së të papërgatitur për ta parandaluar skemën djallëzore të PS-së për tërheqjen e komisionerëve zgjedhorë. Militantët e PD-së në komisionet e zgjedhjeve, pas ikjes së beftë të kolegëve të PS-së nga këto komisione, menduan se u bë deti kos, dhe u erdhi fati në derë të tregojnë militantizmin e tyre ndaj partisë që i ka zgjedhur, dhe kandidatëve të kësaj force politike që u kishin besuar atyre fatin e fitores apo humbjes. Mbushën duart me fletë votimi, dhe si të babëzitur, pasi i plotësuan në favor të kandidatëve të PD-së, i futën në kutitë përkatëse, pa e prishur terezinë. E më pas serbes-serbes rrokën telefonat dhe lajmëruan ‘fitoret spektakolare’ të kandidatëve të PD-së.

Kishin shkuar aq larg në zellin e të shërbyerit, sa pati nga ata që shpallën fitues kandidatët e PD-së me 96 apo 98 për qind të votave. U desh ndërhyrja energjike e Berishës për ta ndalur këtë ekstazë ‘fitoresh’ që vinte minutë pas minute nga çdo zonë elektorale. PS-ja ishte tërhequr dhe kishte deklaruar se jo vetëm që nuk do ta njihte rezultatin e zgjedhjeve, por nuk do merrte pjesë as në raundin e dytë të tyre. Në këto kushte, PD-ja bën përpjekje që në raundin e dytë t’i japë ca deputetë PR-së dhe disa partiçkave të tjera, sa për të krijuar artificialisht një mozaik ngjyrash në Parlamentin e ardhshëm, ku do të dominonte dukshëm bluja.

Skema nuk funksionoi. Ndërkombëtarët u shprehën hapur për parregullsi dhe kërkuan përsëritjen e zgjedhjeve. Berisha i pranoi kërkesat e tyre, por jo tërësisht. Ai pranoi që zgjedhjet të përsëriten në disa zona. Por fatkeqësisht efekti i “topit të borës” që bëhet ortek nuk mund të ndalej me këto masa gjysmake që u ndërmorën.

U shpikën piramidat. Më pas rënia e tyre dhe manipulimi me to, për të krijuar një masë sa më të madhe njerëzish të pakënaqur. Kjo, pasi realisht, në këto skema piramidale mashtrimi, fatkeqësisht kishin investuar paratë e tyre më shumë se dy të tretat e popullsisë së vendit. Manipulimi i turmave u bë detyra më imediate dhe permanente e opozitës. PS-ja ia doli mbanë me sukses këtij aksioni. Kuptohet, pa ngurruar aspak të nxisë ethshëm dhunë, djegie dhe vrasje.

Dhe, kjo forcë politike, ia voli frytet këtij investimi në këtë rebelim të dhunshëm të ideuar dhe drejtuar nga eksponentët më të regjur të Sigurimit të ish-shtetit komunist shqiptar.

Për shkak të këtij rebelimi, PD-ja nuk mundi ta mbarojë mandatin e dytë të saj. U thirrën zgjedhjet e parakohshme dhe ato i fitoi PS-ja.

Kjo forcë politike i mbaroi dy mandatet e saj, por doli e stërlodhur dhe e dërrmuar nga to, pasi siç e thashë më lart, për një vend si Shqipëria, që ka përjetuar shekuj të gjatë pushtimesh dhe dekada të tëra regjimesh autoritare e diktatoriale, dhe me vetëm pak vite jetë apo përvojë në demokraci, dy mandate qeverisjeje radhazi nga e njëjta forcë politike janë shumë. Korrupsioni, nepotizmi, servilizmi, fodullëku dhe mjaft sëmundje të tjera, të cilat mendoj që janë pjellë tipike e psikologjisë otomano-komuniste, dhe që fatkeqësisht janë ende prezent në psikikën e shqiptarëve, e bëjnë të domosdoshëm një rotacion të shpeshtë politik në këtë vend. Ky rotacion nuk është se i shëron plotësisht këto sëmundje që përmenda më lart. Janë breznitë e reja ato që sjellin në pushtet një psikologji të re qeverisjeje. Dhe, duhen 25 vjet që një brezni e re të krijohet. Së paku kështu i llogarisin breznitë antropologët kudo në botë. (Një shekull katër brezni).

Rotacioni politik në vetvete ka për qeverisjen atë efekt që ka një kurë me antibiotikë te njeriu, (pas një ftohje në mushkëri që mund të ketë marrë ai). Kjo kurë nuk e mbron njeriun nga ftohjet e tjera që mund të marrë në të ardhmen, por e kuron atë nga ftohja që ka marrë.

Për hir të së vërtetës PD-ja, pavarësisht sukseseve që ka arritur në mandatin e parë dhe të dytë të saj, është po aq e lodhur dhe e drobitur nga përdorimi i pushtetit sa ç’ishte PS-ja në 2005-n. Parë nga ky këndvështrim, mund ta them me bindje se qeveritë përgjithësisht nuk i rrëzon opozita. Ato bien vetë, rrëzohen nga brenda.

Tensionet politike, bërrylat, inatet, dhe megalomanitë e gjithkundgjendura në skenën politike shqiptare po bëhen një pengesë serioze për një progres të mëtejshëm dhe për hapa konkretë në drejtim të integrimit të vendit. Një referendum për çfarëdo lloj sebepi qoftë ai, mendoj se do t’i ndihmonte shumë situatës politike aktuale për të shkarkuar tërë këtë tejmbushje me inate, qejfmbetje, apo vetëmburrje për gjoja mbështetje mbarëpopullore të njërës palë apo të palës tjetër.

Dhe pastaj, viti 2013, si vit zgjedhjesh të përgjithshme mund të vijë me më pak tensione politike. Kjo, pasi përmes këtij referendumi, palët do t’i kenë testuar përkrahësit e tyre tashmë, dhe e njohin forcën reale të tyre. Pra, në një farë kuptimi, forcat politike përmes këtij referendumi supozohet se mund të ndërgjegjësohen rreth meritimit ose jo të një fitoreje në zgjedhjet e përgjithshme të 2013-s. Fitore kjo, që shpresojmë tashmë të mos kontestohet as nga palët në garë, dhe as nga institucionet europiane e ndërkombëtare.

Dy mandate janë shumë. Një është pak. Le të bëjmë një referendum, ndofta për të ndryshuar kohëzgjatjen e mandatit të Parlamentit nga 4 në 5 vjet, siç e kanë disa vende të BE-së. Kjo ndofta mund të ishte një nga zgjidhjet efikase për shkarkimin, ose si të thuash, zbutjen e tensioneve politike në këtë vend ballkanik tejet të lodhur nga tranzicioni i stërzgjatur, në rrugëtimin e tij 22-vjeçar nga regjimi diktatorial komunist drejt një sistemi demokratik funksional.

Gazeta “Shqip”

Top Channel