Xhelozia, dhunë shtazore ndaj shtatzënës

13/03/2012 00:00

Aty ku njerëzit presin me shpresë për një jetë të re, burri ka tentuar
t’i marrë jetën gruas së tij dhe foshnjës që mbarte në bark prej katër
muajsh.

Ngjarja e pazakontë ka ndodhur në mes të Tiranës, në maternitetin “Koço Gliozheni”, ndërkohë që prokuroria ka vendosur që dhunuesi të procedohet penalisht në gjendje të lirë. Arsyeja e kësaj ngjarjeje të rëndë, që ka tronditur jo vetëm të pranishmit në vendin e ngjarjes, por të gjithë, ben te ditur “Shqip” mendohet se ka ndodhur për shkak të xhelozisë.

Por, fatmirësisht e dëmtuara shtatzënë ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe foshnja nuk paraqet rrezik  dështimi. Para pak ditësh, burri Eduart I. ka dërguar të shoqen për vizitë në maternitetin e ri në Tiranë, pasi e ka katër muajshe shtatzënë. Aty kanë qëndruar për disa minuta dhe mes tyre ka plasur një debat që mendohet për shkak të xhelozisë.

Por, shumë shpejt debati ka degjeneruar në dhunë dhe bashkëshorti 31-vjeçar ka filluar ta godasë me shqelma dhe grushte të shoqen 27-vjeçare, në çdo pjesë të trupit, në mënyrë kafshërore, pa kursyer as foshnjën e vet, që ajo mbart me vete. Menjëherë të pranishmit që kanë parë skenën e tmerrshme kanë nxituar për të hequr nga duart e 31-vjeçarit gruan shtatzënë, pa e ditur se ç’kishte ndodhur, ndërkohë që ai vazhdonte të lëshonte vrer nga goja dhe me gjithë forcën tentonte të mbyste të shoqen.

Për pak çaste, ai ka mundur të godasë atë, ndërkohë që në vendin e ngjarjes kanë mbërritur edhe mjekët, të cilët kanë dërguar me urgjencë në sallë shtatzënën 27-vjeçare, ndërkohë që, nga ana tjetër, dëshmitarët kanë njoftuar policinë. Gruaja e re, që sipas të dhënave është nënë edhe e një fëmije tjetër, ka qëndruar për disa orë nën kujdesin e mjekëve dhe aktualisht mendohet se është jashtë rrezikut për jetën.

Por mjekët kanë konsultuar të afërmit e saj, që ajo nuk duhet të ketë më as një shqetësim dhe për më tepër, dhunë apo stres, pasi rrezikon të humbasë fëmijën. Ndërkaq, policia bëri të ditur se ka mundur të shoqërojë Eduartin 31-vjeçar, të cilin e ka marrë në pyetje për orë të tëra për Aidën, bashkëshorten, me të cilën ka edhe një fëmijë tjetër.

Ai a tentuar të justifikojë veprimet e tij, ndërkohë që fati ka qenë me të, pasi është proceduar penalisht për kundërvajtje penale dhe jo për vepër penale. Në këto kushte, prokuroria ka vendosur lirimin e tij, duke e proceduar vetëm për dëmtime të tjera me dashje” dhe jo për ndonjë vepër tjetër penale. Policia tha se e dëmtuara ndodhet e shtruar në maternitet dhe ende nuk ka informacion nëse ajo ka bërë denoncim ndaj bashkëshortit të tij, apo e ka falur për hir të fëmijës që ka me të dhe me shpresë se do të kenë edhe një fëmijë të dytë.

Top Channel