Një dite pas vendimit të Gjykatës për të akuzuarit e tragjedisë së
Gërdecit, kreu i Partisë Socialiste reagon duke thënë se drejtësia
tronditi opinionin publik, duke katandisur gjykimin e një krimi
shtetëror me pasojë vdekjen e 26 qytetarëve te pafajshem, në një farsë,
ku nuk flitet për vrasje, por për dëmtim prone, si pasojë e pakujdesisë
teknike.

“Drejtësia ka vazhduar të trondisë opinionin publik dhe katandisja e gjykimit të një krimi shtetëror me pasojë vdekjen e 26 qytetarëve të pafajshëm, në një farsë ku nuk flitet për vrasje, por për dëmtim prone e për pakujdesi teknike ishte një tjetër goditje rrënuese për besimin e shqiptarëve, por edhe partnerëve ndërkombëtarë tek drejtësia në Shqipëri. Procesi i përjashtoi shkaktarët e mëdhenj të tragjedisë dhe dha dënime selektive edhe ato tejet zhgënjyese për opinionin publik, duke goditur përsëri edhe vetë Prokurorinë e Republikës”, tha Rama.

Edi Rama, duke u ndalur në problemet që ndeshet drejtësia shqiptare, premtoi se me ardhjen e Partisë Socialiste në pushtet,  drejtësia do të jetë e barabartë për të gjithë.

“Me shumë rëndësi janë edhe ato që Komisioni Europian deklaron për emërimet e gjykatësve të lartë dhe gjykatësve në Gjykatën Kushtetuese. Po ashtu heqja e mandatit të zyrtarëve të lartë është prioritare për ne. Ka kohë që jemi shprehur publikisht për këtë, por si për të gjitha çështjet as kjo nuk mund të jetë e shkëputur nga një vizion tërësor i reformës në në drejtësi. Zgjedhja është e qartë. Drejtësia një shërbim që jepet sipas ligjit dhe jo sipas mundësisë për ta blerë atë. Pushteti i sotshëm si për të gjitha shërbimet publike ka zgjedhur që ato të ofrohen sipas mundësisë për t’i blerë”, tha Rama.

Gjithashtu zoti Rama në fjalën e tij theksoi rëndësinë që merr diskutimi për Gjykatën Administrative, i cili  duhet ndarë me ekspertët vendas dhe të huaj.

Top Channel