Prokuroria: Zgjedhjet u manipuluan

13/03/2012 19:30

Dhjetë muaj pas zgjedhjeve lokale në vend, Prokuroria mbyll hetimet dhe dërgon si të pandehur në gjykatë tetë komisionerë të komunës së Dajçit, nën akuzë për shpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumentave dhe rezultateve të zgjedhjeve të 8 majit në këtë komunë.

Të pandehurit janë Lulzim Paloka, Ndoc Marku, Mark Kola, Zef Gjoni Pjetër Marku, Pal Prendi, Gentian Kovaçi dhe Gent Marku.

Prokurori Ervin Beqiri thotë në kërkesën për gjykim se në komunën e Dajçit në Lezhe ishin si kandidatë përballë njeri- tjetrit, Rrok Rroku i koalicionit Aleanca për të Ardhmen dhe Gjergj Doçi, i koalicionit politik Aleanca për Qytetarin.

Në përfundim të zgjedhjeve, fitoi si kryetar i komunes Dajç Gjergj Doçi, i Aleancës për Qytetarin. Por, përfaqësuesit e Aleancës për të Ardhmen e denoncuan votimin si të paligjshëm, duke akuzuar që atë ditë për manipulime.

Me pas, subjekti i inetresuar është ankuar pranë KQZ kundër rezultatit të zgjedhjeve, por ajo e ka rrëzuar ankesën dhe ka miratuar tabelën permbledhëse të rezultatit për kryetarin e komunes Dajç.

Partia Socialiste i është drejtuar kolegjit zgjedhor më pas, por edhe ky e ka rrëzuar kërkesë padinë e opozitës, duke lënë në fuqi vendimin.

Në vijim, pranë Prokurorisë është bërë një kallëzim penal në adresë të antarëve të komisionit të votimit. Prokurori thote se më tetë maj 2011 kane votuar 264 votues nga 300 të regjistruar në listat e zgjedhësve.

”Në bazë të aktekspertimeve rezulton se në listën përfundimtare janë 109 nënshkrime votuesish që janë shkruar nga të njëjtit persona. Po nga ky akt-ekspertimi rezulton se 43 nënshkrime votuesisht janë shkruar ose mund të jenë shkruar nga antarët e komisionit të qëndrës së votimit”, lexoi prokurori Beqiri.

Prokuroria thote se të pandehuerit, duke qenë në detyrën e përpilimit, vlerësimit dhe ruatjes së dokumentave zgjedhore kanë paraqitur në këto dokumenta zgjedhore të dhëna të pasakta, sikur aty të kishin votuar shtetas të cilet në fakt nuk janë paraqitur.

Prokuroria hedh drite mbi një fakt tepër të denoncuar nga Partia Socialiste aso kohe për falsifikimin e dokumentave të identitetit.

”Kane shkruar në dokumentat zgjedhore numra pasaportash dhe kartash identiteti që nuk egzistojne ose nuk janë në emër të shtetasve të cilët rezultojnë të kenë votuar ose nuk janë në emër të shtetasve të cilët rezultojnë të kenë votuar në këtë qendër votimi si dhe kane hedhur fletë votimi për shtetas që nuk janë paraqitur për të votuar”, informon Prokuroria.

Top Channel