LSI-ja futet në lojën presidenciale, por në mënyrë të ndrojtur

13/03/2012 00:00

Mustafa Nano – Diskutimi mbi presidentin e ardhshëm ka më shumë se një vit që ka nisur,
e sikur të mos kish nisur, do duhej të niste tani. Është koha. Mirëpo
s’ka se ç’të nisë, ngaqë duket si gjë e bitisur. Të paktën për
mazhorancën. Më saktë, për PD-në.

Është krijuar ideja gjithë këto kohë se LSI-ja, në çdo rrethanë do t’i shkojë pas volles Berishës dhe gjasat janë që të ndodhë pikërisht kështu, pavarësisht se një deklaratë e djeshme e Metës linte një shteg të vogël të hapur për një pavarësi gjykimi në këtë histori. Gazetat i bënin jehonë kësaj deklarate, që ish në thelb një zhvillim i lehtë i asaj që kish thënë një natë më parë në programin e Alfred Pezës në “Vizion Plus”, por nuk duket se kanë të drejtë. Po, kish një moment të deklaratës, ku Meta bënte sikur dilte pak nga rreshti (“kemi nevojë për një figurë që të garantojë funksionimin e institucioneve, modernizimin e pandërprerë të tyre dhe për një figurë që të qëndrojë mbi partitë dhe interesat e tyre”, tha ai, por me këtë pohim të drejtë e që s’ka të sharë, nuk thotë ndonjë gjë të madhe, veçse i kundërvihet kandidaturës së Topallit), por pjesa tjetër ishte si të bënte not në ujëra të Berishës: “Konsensusi është i nevojshëm dhe natyrisht i mirëpritur, por e theksoj që konsensusi nuk mund të jetë një mënyrë për të mbetur pa president, që do të thotë se në çdo rast, ne do të kemi një president të zgjedhur me Kushtetutë. Unë do të dëshiroja që ai të zgjidhet me një konsensus sa më të gjerë”.

Mund të shtyhet Meta përtej frazës “unë do të dëshiroja”? E vërteta është se Meta nuk e ka më pavarësinë e gjykimit në politikë. Ai ka qenë kryeministër, madje një kryeministër i fortë, më tej doli në opozitë, e në çdo moment ka demonstruar, në ndryshim nga shumë të tjerë, se ish “një entitet sovran”, se mund të vendoste me kokë të vet, e se aktorët politikë lokalë, të paktën këta, nuk e kishin nën hyqëm. Kjo cilësi i ka rënë në sy më shumë se çdo gjë tjetër. Por nuk e ka më, gjë që atij duhet t’i dhembë sa më s’ka. Ai që deri para ca vitesh ishte i lirë t’i vinte dhe prangat Berishës, apo të shkonte të demonstronte m’ú në zemër të tribusë berishiane (gjëra që askush tjetër nuk guxonte t’i bënte), nuk ka sot për sot as lirinë për t’i shkuar në zyrë Kryeministrit e për t’i pëshpëritur një këshillë a një sugjerim (një sugjerim do të ishte dhe ky i zgjedhjes së një “presidenti të të gjithëve”). Siç shihet, është për të qarë hallin Meta. E në kundërshtim me atë që mund të mendohet, nuk e ka humbur këtë pavarësi gjykimi thjesht për shkak të problemit me drejtësinë, në të cilin u asistua fort nga Berisha; e ka humbur këtë pavarësi qysh në krye të herës, qysh në momentin pra që u kuptua se i voliste të ish në pushtet me çdo kusht. Ai ka pas arsye t’i kundërvihej Berishës (pa dalë nga qeveria) shumë përpara se t’i lindte halli me Priftin (fjala vjen, kur Berisha bëri marrëveshjen me grekët mbi kufirin detar), por ai nuk ka vepruar “në kokë të vet”, pasi nuk ka pasur më një kokë të vet. Dhe kjo është një nga dramat e këtij njeriu.

Rasti i zgjedhjes së presidentit është një rrethanë, në të cilën ai mund ta rikuperojë pavarësinë e gjykimit. Dhe e bukura është se këtë nuk është e thënë ta bëjë me koston e prishjes me Berishën. Përkundrazi, mund t’i japë Berishës dhjetëra prova të tjera besnikërie e luajaliteti, siç ia ka dhënë deri më tani, por duke i thënë: “I dashur doktor! Me Brukselin e me Uashingtonin punët nuk i kemi mirë. Nuk kemi asnjë interes ta thellojmë këtë animozitet të tyre. Të gjithë ata po na kërkojnë një president të pranueshëm nga palët, e prandaj është mirë të ndjekim këshillën e tyre. Mua më ke me vete në çdo moment, por hiq dorë nga plani për të çuar në Presidencë Jozefinën e Jozefinat. Ndryshe, të mori lumi e na mori lumi”.

Kjo është ajo që duhet t’i thotë. Frazat që fillojnë me “unë do të dëshiroja” kanë kuptim në gojën e një diplomati të huaj në Tiranë, por nuk kanë asnjë kuptim në gojën e një politikani shqiptar që është pjesë e koalicionit qeverisës. Nëse një parti në koalicion “dëshiron diçka”, ajo ka mundësi ta negociojë këtë “dëshirë të sajën” me partinë e madhe. E prandaj, çdo dëshirë e një partie në mazhorancë është aty për aty një kërkesë, që i bëhet kreut të mazhorancës. Nëse “konsensusi presidencial është i nevojshëm e natyrisht i mirëpritur” (kjo është fraza e Metës), duhen bërë përpjekje që kjo gjë të jetë e mundur. Dhe këto përpjekje mund t’i bëjë Meta i pari, që edhe “e kupton” se konsensusi është i nevojshëm e i mirëpritur, edhe e ka të gjithë tagrin të ushtrojë presion që ky konsensus të bëhet i mundur. Por ky konsensus nuk bëhet i mundur me fraza idiotike të llojit “ne kemi kandidatin tonë, e ftojmë opozitën që të bjerë në konsensus me këtë kandidat!!!!”; as duke thënë se “është e kotë të tentohet konsensusi, pasi nuk kemi për t’u marrë vesh”.

Zgjedhja e një Presidenti që të përfaqësojë palët nuk është detyrim përballë opozitës. Absolutisht jo. Kjo opozitë, me gatishmërinë e saj për të ndryshuar brenda natës nenet presidenciale të Kushtetutës, e ka hak t’mos e pyesësh e t’mos i marrësh dorën. Por çështja është se zgjedhja e një presidenti të tillë është detyrim përballë shqiptarëve e përballë Kushtetutës, asaj Kushtetute që e përcakton kreun e shtetit si simbol të unitetit nacional, dhe i asaj Kushtetute që, në instancë të fundit, njeh proceduralisht dhe zgjedhjen e një presidenti partizan. Në instancë të fundit, amá; dhe në votimet e fundit. Kur nuk gjendet konsensusi. Por duhet të na e provojnë që konsensusi nuk është i mundur. E kjo provë nuk mund të jepet pa u bërë tentativat për konsensus. E pikërisht këtë duhet të bëjë Meta. Nëse e ka ende një minimum të pavarësisë së gjykimit. E ka vallë? Mund ta ketë?

Gazeta “Shqip”

Top Channel