Vidhet ambasada shqiptare në Athinë

12/03/2012 00:00

Një vjedhje spektakolare ka ndodhur në ambasadën shqiptare në Athinë. Sipas informacioneve të Top Channel, persona ende të panjohur hynë në godinën e ambasadës dhe grabitën bankomatet që janë në katin përdhes të ndërtesës, pikërisht në zyrat konsullore të saj.

Dy bankomatet janë hapur me oksigjen dhe janë dëmtuar gjithë aparaturat e brendshme. Mësohet se në brendësi të bankomateve nuk kishte para, pasi kompania që manaxhon derdhjet i kishte larguar të hollat pasditen e së premtes.

Ende nuk dihet nëse grabitësit kanë marrë sende të tjera në zyrën konsullore, ose në kasafortat e tjera të godinës së ambasadës. Në zonë mbërriti policia, e cila filloi hetimet lidhur me rastin. Ambasada shqiptare në Athinë ka një sistem sigurie.

Ndonëse ka qenë edhe objekt sulmesh dhe kërcënimesh prej ekstremistëve nacionalistë, që prej më shumë se një viti ajo nuk ruhej prej policisë greke. Për çështjen e sigurisë shteti shqiptar ka angazhuar punonjës të ambasadës, por duket se puna e tyre nuk ka qenë efikase.

Top Channel