Shqip: “Gërdeci”, Presidenti, ndryshimet në qeveri…

12/03/2012 00:00

“Telenovela” e procesit gjyqësor të Gërdecit përfundoi ditën e hënë me vendimet e dhënë nga gjykata. Tre të pandehurit kryesorë morën të tre dënime me nga 18 vjet burgim, por u shfajësuan nga akuza e vrasjes në rrethana cilësuese, vendim që provokoi zemërimin e papërmbajtur të familjarëve të viktimave, në sallën e gjyqit.

“Shqip”, emisioni i drejtuar çdo të hënë nga Rudina Xhunga, përballi katër analistë të mirënjohur me pyetjen që mundon të gjithë: A u vendos me të vërtetë drejtësia me këtë vendim të debatueshëm?

Eksluziv, edhe reagimi i Zamira Durdës, gruas që humbi djalin 6-vjeçar mbi lodra, pas shpërthimit të Gërdecit, që telefonoi në studio për të shpjeguar se përse për familjarët nuk është vendosur drejtësi.

I pari, Mustafa Nano argumentoi se procesi nuk është ende i përfunduar. “Ka një përgjegjësi të qartë politike dhe administrative për Gërdecin.Në këtë sens, është skandaloze që Ministri i atëhershëm i Mbrojtjes (Fatmir Mediu), është ende i Ministër. Pas asaj ngjarje, duhet të kishte një furtunë dorëheqjesh, zgjedhje të parakoshme, ndjesë publike, por asgjë nga këto nuk ndodhën. Sinqerisht, nga ana tjetër mendoj se edhe reagimi i deputetit Braçe, që kërkoi shpërbërjen e gjykatës, ishte i ekzagjeruar. Mbase gjykata duhet të shpërbëhet me të vërtetë, por për ngjarje të tjera dhe jo këtë rast. Ka patur një reagim në Shqiptarja.com, i gjykatësit Ardian Dvorani, të cilit i mbeti viktimë në Gërdec i vëllai dhe arsyetimi i tij ishte që këta njerëz që janë arrestuar nuk janë vrasës. Këtu problem është që askush nuk mbajti përgjegjësi politike dhe prandaj ata familjarë ishin të irrituar sot. Për mua, dënimet janë racionale dhe bindëse, por procesi nuk është i plotë, pasi nuk janë dënuar përgjegjësit kryesorë”.

Idenë se vendimet ishin racionale dhe të drejta e mbrojti edhe analisti tjetër, Lutfi Dervishi. “18 vjet burg për tre përgjegjësit kryesorë, dy dënime me dhjetë vjet, e pastaj me gjashtë e tre. i thonë 18 veta të dënuar dhe nga pikëpamja e sasisë, duket që ka një ndëshkim real. Mendoj se gjykimi ishte real, sepse në fund të fundit, nëse ata do të ishin një bandë vrasësish, duhet të gjykoheshin për krijimin e një organizate kriminale”, argumentoi Dervishi.

“Për gjykatën ka raste vazhdimisht që të ankohesh dhe të ngresh zërin, por në këtë rast mendoj se u bë një drejtësi mbi bazën e procesit që pati atë nisje dhe atë përfundim që u dha sot. Nuk mund të zëvendësohet për familjarët ajo që u humb. Nuk mund të kompensohet dhembja dhe tronditja, në sensin e gjykimit. Por, vetë heshtja politike tregon se nuk ka patur një sens, në vënien e pikëpyetjes së vendimit të sotëm”.

Argumentimin e tij, Eduard Zaloshnja e nisi me reagimin e Zonjës Zamira Durda, e cila fitoi vëmendjen mediatike me reagimin e saj pas dhënies së vendimit, kur mes lotëve dhe britmave tentoi të bllokonte derën e gjykatës dhe të takonte gjykatësit për të kërkuar shpjegim.

“Mendoj se zemërimi kryesor i Zonjës Durdës lidhet me bindjes se këtu nuk po dënohen gjeneralët, por ushtarët. Kur them gjeneral, e kam kuptimin për gjeneralët e politikës, jo ata gjeneralë ushtarakë që janë ndëshkuar me të vërtetë. Gjyqi i Nyrenbergut për krimet e nazismit nuk u bë për të dënuar ata që ekzekutuan krimet, por të dënuar edhe ata që ishin në komandë dhe që bënë krimet e Holokaustit. Ky rast është një rast tipik ku njerëzit që kanë pësuar dëmin e drejtëpërdrejtë, që i janë vrarë të afërm, kanë krijuar bindjen se njerëzit që u futën në burg dhe sot morën dënimin, janë thjesht zbatuesit e një urdhëri politik nga njerëz sipër tyre. Kam një të dhënë të fortë, kabllogramin që Ëithers i dërgon departamentit të shtetit, ku thotë se Shefi i Shtabit të Ushtrisë Shqptare, ushtri e NATO-s, është kërcënuar nga djali i kryeministrit që të mos raportojë në Prokurori mbi situatën reale. Ajo beson që thjesht këtu janë dënuar peshqit e vegjël dhe jo peshkaqeni”.

Edhe Henri Çili e nisi komentin e tij nga reagimi i familjarëve. “ Më emocionoi zemërimi i ligjshëm i Zonjës Durda, por edhe me vdekje të ishin dënuar përgjegjësit, asaj nuk do t’i ishte kthyer djalil. Më intereson të analizoj konjukturën e këtij procesi. Procesi ka zgjatur në një afat të arsyeshëm, katër vjet, për një çështje kaq komplekse dhe ka qenë një nga proceset ku presioni i opinionit publik, ka qenë i tillë që të mund të pritej një përfundim i arsyeshëm dhe i ligjshëm. Për ata që janë akuzuar, duket një dënim i arsyeshëm. Çfarë mungon në këtë proces? Mungon një element që lidhet hapur me Fatmir Mediun, këtë mund ta them hapur”.

Duke u përqendruar tek ky element, Çili shtoi: “Këtu duhet të ndajmë dy gjëra. Ka një përgjegjësi me natyrë politike, por u bënë dy procese elektorale dhe ai ka marrë aq vota nga populli sa për të qënë në qarkullim. Nga ana tjetër, kanë ekzistuar të gjitha mundësinë e Prokurorisë për ta rihapur atë çështje. Duhet kërkuar kjo llogari, sepse nuk ka ekzistuar ndonjë pengesë që kjo çështje të hapej nga pas. Unë, realisht shpresoj që me vendimin e dhënë ditën e hënë, për aksidentin e Gërdecit të ekzistojë një lloj paqëtimi shoqëror. Çdo njeri është solidar me atë nënë sot, por ka një sens drejtësie, i cili është i arsyeshëm. Ndonjëherë, mendoj se të gjithë ne si veprues shoqëror, tregohemi shumë kritikë për sistemin që kemi”.  

Në një lidhje direkte, disa orë pasi u bë protagonist e një reagimi historik dhe emocional në sallën e gjykatës, Zamira Durda, gruaja që humbj djalin 6-vjeçar në shpërthim, shpjegoi reagimin e saj dhe përse, sipas saj, nuk është vendosur ende drejtësia. “Kam një pyetje për të gjithë panelin. Gjykata nuk e mori në konsideratë akuzën e vrasjes. Por, atëherë, kur i vrau këta 26 persona? Unë dua një përgjigje se përse nga gjykata nuk u sqarua akuza e prorkurisë, ajo për vrasje masive dhe prandaj ky ishte reagimi im. Po të ishte gabim, duhet të rrëzohej akuza e vrasjes dhe të kthehej për hetim në Prokurori. Gjykata as që e përmendi fare si akuzë dhe kjo ishte ofenduese për të gjithë ne”.

Duke marrë një pauzë të shkurtër, Zonja Durda shtoi: “Gjykata  përmendi prishje e shkatërrim prone, a thua se nuk kishte ndodhur asnjë lloj vrasje. Në fund, për ata që u dha masa e dënimit, nuk u dha asnjë masë arresti dhe ata janë të lirë deri në dhënien e verdiktit të Gjykatës së Apelit. Për mua, s’ka mbaruar ende çështja. Në burg po dërgohen zbatuesit e urdhërit, jo ata që ngritën qëndrën në Gërdec. Dokumentat e Këshillit të Ministrave dhe të ushtrisë janë shpërfillur, ndërsa ne si palë as që jemi pyetur për të dëshmuar në proces.  Unë prisja një sqarim të plotë nga gjykata dhe dënimin për vrasjen masive. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi, nga drejtësia shqiptare, por jemi të gatshëm të dërgojmë çështjen edhe në Strasburg”.

Në fund të reagimit të saj, Znj. Durda akuzoi ashpër edhe avokatët e përfshirë në proces, për zgjatjen e pafundm të tij, që veçse zgjati vuajtjen e të gjithë atyre që presin drejtësi për familjarët e humbur. “Dua të them se të gjithë këta avokatë që janë plehra, që nga kryetari i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia, që kërkonte leje për 18 avokatë për të parë Inter-Milan në “San Siro”. Zvarritja ishte një strategji e mbrojtjes, katër muaj vetëm për të lexuar pretencën, pa patur asnjë respekt për familjarët e tronditur”.

Zgjedhja e Presidentit

Në pjesën e dytë të Shqip, të ftuarit në panel u munduan të paraqisnin skenarët e mundshëm të zgjedhjes së presidentit të ardhshëm, nëse do të jetë ai një president i zgjedhur vetëm me votat e mazhorancës apo do të jetë konsensual?

Për analistin Mustafa Nano një rol të rëndësishëm në këtë mes mund të luaje LSI si pjesë e mazhorancës: “LSI si pjesë e mazhorancës në lojën presidenciale ata luajnë rol si pakkush tjetër. Ka mundësi për rol të madh. Situata është kjo: për 2-3 muaj sipas Kushtetutës presidenti mund të zgjidhet vetëm nga mazhoranca dhe këtu s’ka mëkat. Problemi është që ne na duhet një president që të na përfaqësojë të gjithëve, duhet kërkuar konsensusi, duhet të jetë një figurë ndryshe nga figurat talebane që janë propozuar deri më sot. Meta ka patur një pavarësi gjykimi dhe aksioni, humbi këtë pavarësi në momentin kur erdhi në pushtet, presidenti është një rast i mirë që të rikuperojë pavarësinë e gjykimit”.

Ndërsa për Henri Çilin, nëse mazhoranca do të ndërmerrte vendimin për të zgjedhur president një emër jokonsensual do të krijonte një vertikale në pushtet që, sipas tij, nuk do t’i shërbente asaj në pëballjen elektorale të 2013-s: “Në interesin publik do të kemi një president të udhëheqi të ardhmen jo si presidenti aktual që është i përzier në lojën politike. Por interesi i mazhorancës është që të mos krijojë një vertikale të pushtetit, që nga presidenti e deri tek Bashkia e Tiranës. Kjo do të ishte e dëmshme për vetë mazhorancën e cila duhet të tregojë se mund të vetëkufizohet”.

Nisur nga kompetencat që Kushtetuta e vendit i jep Presidentit të Republikës, analisti Lutfi Dervishi tha: Kushtetuta e 1998 u bë që kostumi i pushtetit t’i pëlqente Nanos dhe t’i rrinte mirë dhe Mejdanit. Presidenti tek ne nuk është thjesht ceremonial, emëron prokurorin, gjeneralët, SHISH, gjykatës, Kryetar i KLD-së. Pra ka plot fuqi dhe nuk është thjesht ceremonial. I vetmi model për presidentin mbetet Moisiu, të tjerët janë përfshirë në politikë. Mazhorancës nuk i bën mirë t’i marrë të gjitha pushtetet për vete”.

Po ndërkombëtarët sa rol kanë në zgjedhjen e Presidentit? Kjo ishte pyetja që ngriti analisti Eduard Zaloshnja: “Cfarë mendojnë të huajt që janë një faktor i rëndësishëm? Cfarë opinion ka Brukseli dhe Uashingtoni? Mendimet e tyre ndikojnë tek njerëzit e thjeshtë. E mira e vendit do që të zgjidhet një president që simbolizon unitetin e popullit, jo njeri vetëm me votat e mazhorancës. Nga pikëpamja politike mendoj që mazhoranca do të bëjë një autogol nëse e zgjedh presidentin vetëm me votat e saj”.

Ndryshimet në qeveri

Pjesa e tretë nisi me analizimin e mundësive për ndryshimet në kabinetin e kryeministri Berisha, ndryshime që po kërkohen nga disa zëra nga vetë brenda mazhorancës.

Lutfi Dervishi tha se ndryshimet janë të nevojshme për të rifreskuar qeverinë pasi ka ministra, sic tha ai, që kanë nga 7 vjet në qeveri dhe rendimenti u ka rënë. “Ajo që vihet re në këtë qeveri është se sheh ministrat të rinj të plakur në mënyrat e të bërit politik dhe e kundërta. Deputetët e mazhorancës shprehën nevojën për ndryshimet sepse nuk mund të kesh për 7 vjet të njëjtën fytyrë në ministri.

Henri Çili tha se ndryshimet janë të nevojshme duke patur parasysh që qeverisja aktuale nuk është ndër më të mirat, është një qeverisje normale. Ai i cilësoi ndryshimet si mundësia e fundit e mazhorancës për të pretenduar fitoren në zgjedhjen e vitit të ardhshëm: Kabineti aktual është i zhytur në një konjukturë, rasti më konjuktural që ka pas Shqipëria. Ajo që vërehet është se sot s’ka krizë politike. Ka një konjukturë shumë të ngushtë. Ndryshimet ndoshta janë peng i logjikës së zgjedhjes së presidentit. Ajo që shihet qartë është se kemi një solist, që është kryeministri dhe një grup tretësor, që janë ministrat dhe nuk ka asgjë në mes. Ka një protagonizëm të kryeministrit shumë të fuqishëm, s’ka protagonizëm politik tek ministrat që të bënin veprimin e mazhorancës. Në 2013, nëse mazhoranca e ka seriozisht për mandatin e tretë mendoj se ndryshimet në qeveri janë stacioni i fundit për mazhorancën që të reflektojë. Si mundet që me një qeverisje të zakonshme të pretendosh fitoren në një betejë të jashtëzakonshme?”

Por ndryshe arsyetoi analisti Eduard Zaloshnja. Ai tha se stacioni i fundit i mazhorancës ishin zgjedhjet e 8 majit. Tashmë është shumë vonë, tha Zaloshnja, dhe ndryshimet do të shkaktonin një amulli në qeverisje. Ministrat e rinj nuk do të kishin kohën e mjaftueshme për të treguar profesionalizmin e tyre nga zgjedhjet e 2013: “Momenti më i mirë për ndryshime rrënjësore në qeveri ishte pas zgjedhjeve lokale të 8 majit, që ishte treni i fundit për mazhorancën që e kaloi stacionin. Para zgjedhjeve të presidentit nuk është e favorshme të bësh ndryshime rrënjësore në qeveri. Jemi në një situatë ku buxheti rishikohet në ulje cdo gjashtë muaj dhe ministrave të rinj do t’u lihet 1 vit kohë për të bërë mrekullinë”.

Mustafa Nano vlerësoi se ndryshimet në qeveri nuk do të kishin asnjë rëndësi pasi sërish ata do të ishin nën hijen e kryeministrit Berisha: “Konsiderojmë që ministrat tanë vlejnë, kanë vizion, kur ka një vizion të vetin e negocion me kryeministrin dhe pastaj dikton politikat në sektorin e caktuar. Por ky nuk është rasti ynë. Ministrat janë nën hijen e Berishës, edhe ndryshimet nuk do sjellin risi, s’kanë rëndësi ndryshimet”.

Në mbyllje të Shqip analistët komentuan vizitën e paralajmëruar të Ramës në Uashington. Sipas tyre, vizita e Ramës tregon një “normalizim” të raporteve mes kreut të opozitës dhe ndërkombëtarëve. 

Top Channel