Ekspozohen maketet e Tiranës

11/03/2012 00:00

Kryeministri Sali Berisha ishte njëri nga qindra qytetarët që ka vizituar maketet për zhvillimin e Tiranës nga stacioni aktual i trenit deri në Paskuqan.

Ai vizitoi të 7 projektet e firmave ndërkombëtare që morën pjesë në konkurs, edhe pse dy prej tyre janë shpallur fitues. Por, e përbashkëta sipas kryeministrit në të gjitha këto projekte, edhe tek ata fitues, është se i jepen zgjidhje të qëndrueshme dhe tërheqëse zhvillimit të Tiranës së shekullit të 21 duke patur tre elemente kryesorë.

“Sigurisht që do të jenë grupet teknike ato që japin fjalën e fundit, por do të thosha sikur vetëm tre elemente të realizoheshin: bulevardi, lumi dhe parqet Tirana do të ishte krejtësisht tjetër. Është një shans historik për këtë qytet të ketë mushkëritë e frymëmarrjes së tij. Pra, jemi në hapjen e një sipari për një Tiranë moderne, të këtij shekulli, në lartësinë e ëndrrës së bukur të qytetarëve të Tiranës dhe atyre shqiptarë për kryeqytetin e tyre”, deklaroi Berisha.

Projektet propozojnë zgjerimin e lumit të Tiranës në gjithë gjatësinë prej 6.7 kilometrash dhe ndërtimin e një bulevardi nga stacioni aktual i trenit deri kur fillon Paskuqani, me gjatësi 1.7 km, si dhe me anë të një studimi japin një projekt të përgjithshëm si do të zhvilohet zona e Paskuqanit, duke patur të detyrueshëm zgjatimin e këtij bulevardi të ri.

Kryeministri Berisha përfitoi nga rasti për të falenderuar qytetarët e Tiranës, që sipas tij, me votën e tyre bënë të mundur ndryshimin e Tiranës, ndryshim nga i cili, siç tha kryeministri jo pa ironi, do të përfitojë edhe vetë zoti Rama: “Ish-kryetari do të ketë parqe të panumërta për të bërë ciu-ciu nga mëngjesi deri në darkë. Edhe në moshë dixhitale e sollëm, kështu që le të vazhdojë.”  

Duke reaguar në rrjetin social Twitter për këtë çështje, kreu i Partisë Socialiste Edi Rama tha se Berisha dhe urbanistika janë si Sudja dhe makroekonomia!

“Aq sa mund të sillte Sudja zhvillim ekonomik, aq mund të sjellë Saliu zhvillim urbanistik.”

Top Channel