BE shkurton kreditë për Shqipërinë

10/03/2012 00:00

Banka Europiane e Investimeve, krahu financiar i Bashkimit Europian
deklaroi se do të shkurtojë financimet e reja në vendet e Ballkanit
Perëndimor përfshirë dhe Shqipërinë.

Në një konferencë për shtyp në Beograd, zëvendëspresidenti i Bankës, Dario Skanapieko tha se kreditë e reja në Ballkanin Perëndimor mund të ulen me 20 për qind, për t’i dhënë kohë vendeve të absorbojnë financimet e mëparshme, ende të papërdorura.

Numri dy i BEI deklaroi se përmes kësaj strategjie banka synon të pastrojë të gjitha fondet e padisbursuara për projektet në Shqipëri, Serbi, Bosnje dhe Maqedoni. Për periudhën 2007-2011, Banka Europiane e Investimeve ka nënshkruar 4.2 miliardë euro kredi për projektet në vendet e rajonit tonë.

Por për shkak të vonesave administrative vetëm 2.43 miliardë prej tyre u disbursuan, duke lënë rreth 1.8 miliardë euro fonde të nënshkruara, por të papërdorura. “Ne duam të shohim një përputhje më të mirë mes kredive që nënshkruajmë me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe përdorimit të tyre, çka do ta bënte ndihmën më eficente,” deklaroi zvëndëspresidenti i BEI.

Banka Europiane e Investimeve financon kryesisht projekte zhvillimi, që nga infrastruktura e deri tek mbështetja direkte për biznesin. Vitin e kaluar, ajo disbursoi 859 milionë euro financime në rajon, ku pjesën dërrmuese ose 67 për qind të tyre e mori Serbia.

Shqipëria është një nga vendet që përfiton më pak nga grantet dhe kreditë për projekte zhvillimi që jep Bashkimi Europian. Kjo për një sërë arsyesh, që lidhen me progresin e ngadaltë në procesin e integrimit, por edhe kapacitetet e ulëta absorbuese. Vetë qeveria shqiptare vitet e fundit ka preferuar më shumë ta orientojë huamarrjen drejt bankave islamike, për shkak të kushteve më të lehta, që vendosin këto banka në disbursime.     

Top Channel