“Tre PD në rrugën e humbur djathtas”

10/03/2012 20:30

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, me anë të një editoriali të publikuar në blogun e tij personal ka komentuar për herë të parë gjërësisht debatin politik ku është përfshirë Presidenti i Republikës, Bamir Topi, kryeministri Sali Berisha dhe kreu i Aleancës KuqeZi, Kreshnik Spahiu duke e cilësuar këtë debat si “debati i tre PD-ve”.

“Çarja në tresh e PD-së është një fakt që ka çoroditur ende më keq qeverinë dhe komunikimin me publikun të shumicës së mbetur në qeveri. Përpjekja e dëshpëruar e kryeministrit për ta shpëtuar nga mbytja në detin e korrupsionit anijen e vet, ka në shënjestër dy rebelët që kanë marrë pas vetes dy PD-të e shkëputura prej trupit të rrënuar të PD-së së tij. Është një luftë e re brenda llojit ku vëllezërit e djeshëm janë bërë armiq të betuar të njëri-tjetrit. Por është po ashtu një luftë e vjetër që përsëritet djathtas me të njëjtin fajtor e protagonist kryesor, sekretarin komunist të PD-së, i cili, mu siç thotë ajo vjersha, “u plak po dorë nuk hoqi” nga veset që kanë përcaktuar qysh në krye të herës, banalitetin e së keqes së mishëruar në lidershipin e tij në krye të Partisë Demokratike”, thotë Rama.

Më tej lideri socialist u përgjigjet edhe akuzave të hedhura nga kryeministri Berisha për “lidhje të presidentit Topi me Partinë Socialiste. Rama thotë se Topi bashkëpunon me Partinë Socialiste po aq sa bashkëpunon Saliu me të duke renditur qendrimet që presidenti ka mbajtur gjatë mandatit të tij, si qendrime, që sipas Ramës, janë qartësisht djathtas.

“Presidenti i Republikës ka mbajtur një qëndrim indiferent në rastin më të mirë, për të mos thënë se ka mbajtur qëndrime të papajtueshme me Partinë Socialiste qoftë kur zgjodhi Prokuroren e Përgjithshme me pëlqimin djathtas qoftë kur dënoi bojkotin tonë parlamentar; qoftë kur ndenji si mur i heshtur në kohën e përçapjeve të komunitetit ndërkombëtar në selinë e tij për të ndërmjetësuar krizën politike; qoftë kur shpërfilli grevën e urisë së plot deputetëve e qytetarëve për votën e lirë; qoftë edhe në 21 janar kur dënoi dhunën në përgjithësi, po nuk drejtoi gishtin mbi vrasësit me pushkët e shtetit dhe urdhëruesit e tyre në godinën e Këshillit të Ministrave; e qoftë për të tjera akoma, që mund të mos e kenë bërë Presidentin e Republikës të duket një dorëzanë i Saliut në krye të shtetit, sepse e vërteta është se s’ka qenë asnjë ditë i tillë, por që pa pikën e dyshimit e kanë përcaktuar presidencën e tij si një presidencë të orientuar nga vizioni dhe nga përkatësia djathtas e Bamir Topit”, shkruan kreu socialist.

Ndërsa sa i takon figurës së Kreshnik Spahiut, Rama thotë se “ai u rebelua politikisht jo se ka lidhje me Partinë Socialiste por se e gjeti veten jashtë rrethi të ngushtë të interesave të oborrit klanor të Saliut”.

Rama mbyll shkrimin e tij duke ftuar shqiptarët tek platform socialiste për një Rilindje Shqiptare, përkundër ofertës së “tre Partive Demokratike”.

“Zgjedhja për shqiptarët sot nuk është mes tre partive demokratike, po është qartësisht mes një Rilindjeje Shqiptare përmes Partisë së ripërtërirë Socialiste e koalicionit të saj dhe një Rrënimi të Mëtejshëm të Shqipërisë në vazhdën e rrënimit e të çarjes së Partisë së vjetër Demokratike”, shkruan Rama.

Top Channel