Bashkimi Europian kërkon që politika shqiptare të heqë dorë nga retorika dhe t’i kthehet punës për përmbushjen e kritereve integruese.

Në një intervistë për Top Channel, zëdhënësi i komisionerit Fyle, Peter Stano, thekson se me gjithë përparimet që u bënë pas marrëveshjes politike të vjeshtës, kërkohen rezultate konkrete në përmbushjen e kritereve.

TCH: Ku qëndron Shqipëria në përmbushjen e 12 prioriteteve kyçe?

Peter Stano: “Siç e dini, Komisioni Europian vlerëson progresin e çdo vendi kandidat apo partner në proçesin e zgjerimit në raportet e rregullta vjetore në vjeshtë. Shqipërisë i janë dhënë 12 prioritete dhe ne shënojmë gradualisht ecurinë e vendit në këto prioritete. Meqenëse bëhet fjalë për një punë që është në proçes e sipër, nuk do të desha të bëj një përmbledhje sot, por do të thoja se na duhet të presim vjeshtën, kur të publikohet raporti i progresit, për të parë se ku qëndron Shqipëria. Por, duke rikujtuar çfarë tha komisioneri Fyle gjatë takimit me ministrin tuaj të Jashtëm javën e shkuar, ai lavdëroi hapat në proçesin e reformave, veçanërisht ato që lidhen me axhendën e reformave dhe marrëveshjen politike të nëntorit, ku partitë politike ranë dakort të punojnë së bashku për reformat institucionale e në disa fusha të tjera. Por, që proçesi dhe axhenda europiane të shënojnë sukses, neve na nevojitet vërtet që të shohim rezultate, që vetë njerëzit në Shqipëri të shohin rezultate. Dhe vetëm pasi të kemi rezultate të prekshme në përmbushjen e12 prioriteteve, atëherë ne mund të vlerësojmë në raportin tonë se çfarë është arritur dhe çfarë mbetet ende për t’u bërë”.

TCH: Deri tani është thënë që Shqipëria duhet të përmbushë të gjitha kriteret për të marrë statusin kandidat dhe nisjen e bisedimeve për anëtarësim. Kohët e fundit qarkullon një ide për ndarjen e këtyre kushteve, për të ndihmuar vendin, të paktën për marrjen e statusit kandidat këtë vjeshtë. Në një rast të tillë, cilat do të ishin kriteret vetëm për marrjen e statusit kandidat?

Peter Stano: “Çelësi ndaj kësaj pyetjeje qëndron tek 12 prioritetet kyçe. Dhënia e rezultateve në këto 12 prioritete kyçe do t’a sjellë Shqipërinë më afër vendeve anëtare, nëse ata shohin se këto prioritete kyçe janë përmbushur, dhe nëse Komisioni propozon një vlerësim pozitiv duke rekomanduar statusin kandidat, për të cilin më pas vendosin vendet anëtare, dhe nëse shohin se ka një progres të mjaftueshëm, sipas rezultateve, atëherë mund të ketë edhe rekomandim për çeljen e negociatave.

Por duhet t’i marrim gjërat me radhë. Pikësë pari, fokusi duhet të jetë tek rezultatet në këto 12 prioritete, më pas duhet pritur për raportin e progresit në tetor, e pasi të vlerësojmë progresin e arritur apo nivelin se deri ku ka përmbushur Shqipëria 12 prioritetet, Komisioni do të hartojë rekomandimin, mbi të cilin do të vendosin vendet anëtare. Por këto janë disa hapa dhe unë do të thoja që t’i marrim një nga një dhe jo t’i kapërcejmë ato, pasi çelja e negociatave për shembull është në fazën e dytë apo të tretë të këtij proçesi, ndërkohë që Shqipëria ndodhet ende në fazën e parë, e cila është dhënia e rezultateve në 12 prioritete dhe puna që duhet bërë për të mundësuar marrjen e rekomandimit nga Komisioni Europian për statusin kandidat.

Ne nuk po e ndajmë dhe as copëtojmë proçesin, i cili është i përcaktuar qartë, i hapur dhe transparent. Kemi 12 prioritete dhe gjëja më e rëndësishme për të përparuar në rrugën europiane është të jepen rezultate në këto prioritete. Dhe vetëm pasi të shohim se ka rezultate, se ato janë të prekshme dhe të qëndrueshme, pasi të shohim se axhenda europiane është me të vërtetë një axhendë ndërpartiake dhe me të vërtetë mbarëkombëtare, atëherë me kënaqësi do të mund të vlerësonim se, në rregull, Shqipëria dha rezultat dhe mund të rekomandojmë që të kalojë në fazën tjetër. Por nuk do të spekulloja mbi një ndarje të mundshme të kritereve pasi  prioritetet janë caktuar, dhe vetëm pasi të jepni rezultate ju mund të merrni atë që ju ka premtuar Bashkimi Europian”.

TCH:
A po i ndjek Komisioni përplasjet politike ndërmjet shumicës qeverisëse, presidencës dhe opozitës, retorikën e ashpër politike që përdoret në vend, dhe a është e vërtetë që Shqipëria humbi dy herë statusin kandidat për shkak të opozitës, siç pretendon kryeministri dhe shumica në pushtet?

Peter Stano: “Ju mund të humbisni vetëm diçka që e keni patur. Shqipëria nuk e ka patur kurrë statusin kandidat, pra nuk ka sesi t’a ketë humbur. Por më lini të them se Komisioni Europian vëzhgon gjithnjë nga shumë pranë çfarë ndodh në vendet e përfshira në proçesin e integrimit, pasi këto vende kanë disa detyrime. Ato kanë ambicien për të arritur nivelet europiane të standarteve dhe vlerave, gjë e cila nuk përfshin vetëm ekonominë dhe shtetin e së drejtës, por edhe respektimin e lirive të qytetarëve, kulturën e dialogut politik dhe vlerat demokratike. Dhe, siç e ka thënë së fundmi edhe komisioneri Fyle në lidhje me Shqipërine, mesazhi i tij ishte shumë i qartë: “ulni retorikën politike”, pasi ajo nuk i ndihmon suksesit në procesin e reformave dhe as progresit të mirë që u arrit muajt e fundit, veçanërisht që prej marrëveshjes së nëntorit për bashkëpunim ndërpartiak për reformat institucionale dhe axhendën europiane.

Është e rëndësishme që fokusi të jetë në dhënien e rezultateve në substancë, që do të thotë, në 12 prioritetet kyçe. Pra, është me të vërtetë e nevojshme për gjithkënd që të sillet me përgjegjësi, të qëtësojë retorikën politike dhe të mos verë në rrezik gjërat e mira të arritura deri sot, por vetëm të fokusohet në çuarjen përpara të përpjekjeve për reforma dhe të progresit të mirë, në mënyrë që të gjithë, në Bruksel apo në vendet anëtare, të jenë të kënaqur me rezultatet nga Shqipëria, të shohin se vendi është me të vërtetë i angazhuar për vlerat europiane, në mënyrë që të mund të rekomandojmë lëvizjen përpara drejt hapit të radhës, dhe vetëm pasi të shohim se kjo mund të bëhet, rekomandimi doti dërgohet vendeve anëtare”.

TCH:
Komisioneri Fyle ka deklaruar synimin e tij për të vizituar Tiranën. A ka ndonjë datë të caktuar, siç është rasti për vizitat në Shkup apo Prishtinë?

Peter Stano:
“Planet e tij të udhëtimit hartohen në atë mënyrë që të paktën komisioneri t’i vizitojë një herë në vit vendet nën portofolin e tij. E njëjta gjë vlen për Shqipërinë, për të cilën ne po planifikojmë një udhëtim të komisionerit, por data e saktë nuk është vendosur ende. Siç e thatë, këtë muaj ai do të vizitojë Shkupin dhe Prishtinën. Po punohet për planifikimin e axhendës së tij për muajt e ardhshëm dhe kur të jetë koha më e mundshme, në varësi të barrës së punës, por dhe kur të jetë e rëndësishme për axhendën mes BE-së dhe Shqipërisë, atëherë do të jetë e sigurtë se komisioneri do ta vizitojë Shqipërinë, pasi është një prej vendeve në varësinë e tij dhe ai përpiqet t’i vizitojë këto vende të paktën një herë në vit”.

Pas takimit me ministrin e Jashtëm Edmond Haxhinasto, komisioneri Shtefan Fyle renditi në një komunikatë për shtyp mesazhet kryesore të përcjella gjatë drekës së punës që zhvilluan në Bruksel, ku thuhej hapur “plotësoni 12 rekomandimet”.

Ndërsa pas një konference shpjeguese mbi Serbinë dhe Kosovën, të mbajtur më 2 mars, komisioneri për Zgjerim tha se po planifikon të bëjë një vizitë në Shqipëri.

Top Channel