Mblidhen kandidatët për në BE

09/03/2012 00:00

Komisionet parlamentare të Integrimit nga vendet e rajonit,që aspirojnë
t’i bashkohen familjes europiane, janë mbledhur në Tiranë për të
diskutuar mbi integrimin.

Tryezën e organizuar nga Komisioni Parlamentar i Integrimit në parlamentin shqiptar e ka hapur kryetarja e kuvendit Jozefina Topalli, e cila u shpreh se për Shqipërinë, integrimi është një çështje kombëtare, që i bashkon shqiptarët.

“Gjatë kësaj periudhe të fundit kemi patur dy ngjarje të rëndësishme, që ishte anëtarësimi i Shqipërisë në NATO,  pastaj liberalizimi i vizave, por siç thonë italianët, nuk ka dy pa të tretë, dhe në këtë kuptim unë uroj që po ashtu si shumë vende të tjera që kanë bërë progres, Shqipëria së shpejti do të mund të marrë statusin e vendit kandidat. Nuk ka qenë një rrugë e thjeshtë, nuk ka qenë një rrugë pa pengesa, por për sa kohë 96% e shqiptarëve duan që Shqipëria të jetë anëtare e BE-së, asnjë forcë politike nuk mund t’i ikë këtij objektivi të madh. Në këtë kuptim sado që ajo të pengohet apo bllokohet, vjen një momënt për të cilin flasin shqiptarët,siç kanë folur shqiptarët, siç do të flasin prap shqiptarët dhe në fund të fundit është një proces që nuk mund të ndalet”, tha Topalli.

Kreu BE-së në Tiranë Ettore Sequi u shpreh se seriozitetit të treguar nga BE-ja dhe derës që mbetet e hapur për zgjerim, duhet t’i përgjigjen, po me seriozitet vendet aspirante të cilat duhet të ndjekin shembullin e Kroacisë.

Ndërsa Eugen Wollfarth, ambasadori OSBE-së, ftoi politikanët për një partneritet në impelementin e reformave, të cilat, sipas tij duhen të jenë cilësore e të prekshme dhe të kenë efekt tek qytetarët.  “Tashmë,- tha Wollfarth,- përballë Shqipërisë qëndrojnë sfida të rëndësishme siç janë reforma në drejtësi, ato elektorale dhe parlamentare, përfshi zgjidhjen e problemeve me pronat”.

Ditmir Bushati, kryetar i Komisionit Parlamentar të Integrimit tha se komisionet parlamentare të integrimit në rajon marrin një rëndësi të veçantë në rrugëtimin drejt BE-së.

“Komisionet tona kanë dhe duhet të luajnë një rol thelbësor. Ato duhet të shërbejnë si institucione kyçe për adresimin e çështjeve europiane. Duke u bërë kështu urat lidhëse mes qeverive dhe qytetarëve në arritjen e objektivit tonë të përbashkët, anëtarësimit në BE.Duke punuar në këtë drejtim ne mund të përgatisim qytetarët tanë për të pasur pritshmëri sa me realiste për këtë proces, që kërkon reforma të vërteta dhe të vështira”, tha Bushati.

Top Channel