As me ligj, as me kanun

09/03/2012 00:00

Artan Lame – Pasi kemi 568 vjet që u biem daulleve e çiftelive për të përkujtuar
Besëlidhjen, papritur kuptuam se politika jonë s’qenka e aftë as ta
përkujtojë atë, e jo më të jetë në gjendje për një besëlidhje të re.

Dhe meqë provat për punë evropianësh nuk bëhen me këngë majë krahit, edhe kjo provë kaloi përmes një fjalë të vetme, të cilën edhe atë, evropianët na i kanë mësuar: protokoll.

U shkrua aq shumë për këtë punë këto ditë, sa më bëri çudi, por në fund kuptova se shqiptarëve që s’kanë gjë në dorë, karagjozllëku i 568-vjetorit u bëri më shumë përshtypje e u la më shumë shije të keqe, sesa vetë atyre që e organizuan e që u zhgërryen para kamerave atje nën hijen e Monumentit që ka ndërtuar Enver Hoxha. E përmend Komandantin për arsyen e thjeshtë se Monumentin e Lezhës e ka ndërtuar ai dhe, edhe ai, teksa shkonte atje, nuk qaste njeri pranë, por të paktën atij i shkonte kjo punë se e kish ngritur vetë, ndërsa këtyre shertarrëve të sotëm vetëm sherrin po u shohim. Që të mos u hamë hakun, edhe koha jonë ka bërë ndërtimin e vet atje. Prapa monumentit lartohet tani një vilë e madhe e shëmtuar, nga ato pa leje, e ndërtuar nga ndonjë trim azgan m’u midis lulishtes. Është shumë e vështirë për të mos thënë e pamundur, të bësh sot një foto të monumentit, pa të dalë në sfond ballkonet me brekë të nderura të trimit azgan. Çdo kohë lë monumentin e vet.

Madje jo vetëm në rrëzë të Kalasë, por edhe në majë të saj, ju kujtoj se së shpejti koha jonë do të ngrejë monumentin e vet. Sapo është miratuar ndërtimi bash midis Kalasë së Lezhës i kompleksit me pishinë e me fushë tenisi, me restorante tallavaje dhe, qershi mbi tortë, edhe me një motel, se helbete, pasi të jenë dëndur me pilaf e zhgërryer në pishinë, do t’u duhet edhe një dhomë ku të shfrejnë e të shfryjnë. Kemi dy muaj që ngremë zërin për këtë turp, të gjithë thonë që është faqe zezë, por prapë ata që i kanë hyrë kësaj udhe nuk bëjnë pas.

Meqë kisha ndërmend të shkruaja për këtë punë, i ndoqa lajmet me kujdes në disa stacione dhe në fund kërkova edhe TVSH-në, për të dëgjuar edhe variantin zyrtar. Vojta ca për ta gjetur, se nuk e shoh gati kurrë, si më të shumtit e shqiptarëve, po në fund ia dola: “Me ç’duket presidenti Topi ka vendosur ta mbyllë presidencën e tij me skandal pas skandali … Presidenti nuk pranon të nderojë … Edi Rama dhe Bamir Topi, braktisën bashkarisht përkujtimin e Besëlidhjes shqiptare, e lla-lla, e lla-lla” – vazhdonte folësja e Televizionit publik. Ishte aq e pabesueshme ajo gjuhë të foluri, sa, më tepër e se një herë kontrollova kanalin për t’u siguruar që ishte TVSH-ja.

Për sa kohë gjëra të tilla i shkruan e i thotë 55-a apo RD-ja, kushdo mund të mjaftohet me një “turp t’u vijë” dhe shko tutje, pasi as që më detyron njeri të nxjerr paratë nga xhepi e t’i blej me pará këto profka. Por kur këto i dëgjoj në Televizionin Shtetëror, të cilin e mbaj unë me rrogë dhe ku secili prej nesh i paguan me detyrim taksë, kjo kthehet në maskarallëk shtetëror, për të mos thënë kurvëri mediatike. Dhe deri sa e bëjnë këtë me liderin opozitës, prapë mund edhe ta gëlltis, se do më thonë që nga halli e bëjnë, për të shpëtuar bukën e gojës, por kur këtu kurvërohet duke përdorur për çarçaf dinjitetin e shtetit dhe të kryetarit të shtetit, kjo është vërtet e padurueshme. Haram e paçi bukën, pisa që po na bëni pis të gjithëve!

Unë jam i majtë dhe, si i tillë, mund të thoja me vete “sytë i nxjerrshin njëri-tjetrit”, por në atë që ndodhi në Lezhë nuk u turpërua politika, se ajo s’ka ç’të bëjë më shumë për t’u turpëruar, por politika dhe langonjtë e saj sërish i turpëruan simbolet e vendit tim, flamur, stemë, Besëlidhje, protokoll, Kushtetutë, e gjithçka tjetër që e kanë shpikur të qytetëruarit dhe me të cilat tallen barbarët.

Qëkurse Saliu është prishur me Topin, i vetmi që ia ka dalë t’i bëjë bashkë, ka qenë ambasadori amerikan në ndonjë pritje a mbledhje ku i ka ftuar që të dy. Në këto raste, si njëri dhe tjetri kanë ulur veshët dhe urtë e butë kanë shkuar pa bërë as gëk, as mëk. Edhe kësaj radhe, nëse do ishte bërë sebep amerikani dhe t’i thërriste në ambasadë, ose të kish shkuar në Lezhë dhe që atje t’i ftonte të dy, do shihnim se si do shkonin urtë e butë dhe çdo gjë do vente fjollë. Në fakt, kjo nuk është ndonjë shpikje as e imja dhe as e ambasadorit amerikan. Edhe 568 vjet të shkuara ata që u bënë sebep t’i mbledhin bashkë, qenë ambasadorët e kohës, venedikasit. Lezha e 1444-s ishte zotërim venecian dhe kjo u bë sebep të mblidhen bashkë atje. 568 vjet më pas, kaposhi ynë nuk ka nxjerrë ende asnjë mësim nga historia.

Midis kësaj hollallaje pa kokë e bisht, më kingu nga të gjithë u duk kryetari i Bashkisë së Lezhës, i cili deklaroi se “Presidentin po të kishte ardhur, nuk do e ndalonte njeri të fliste”, sikur të bëhet fjalë për kafenenë e fshatit, ku kushdo që e sjell rruga mund të thotë ç’t’i dojë e bardha zemër.

E gjithë kjo lukuni arnautësh as që e di se ç’do me thënë shtet, rregulla, e nder, e protokoll, ndaj s’kanë faj kur me të tilla gjëra fshijnë të ndenjurat teksa zhgërryhen para kamerave. E kemi thënë këtë dhe gjithmonë ia kemi vënë fajin faktit se sapo kanë zbritur nga malet, ndaj shkojnë akoma me kanun. Por besëprerja e Lezhës tregoi se këta as kanun s’kanë. Na kanë përrallisur gjithë jetën se për mikun malësori ka ra n’gjak, e asht vra e pre. E tani nëse ju gjeni shenjë kanuni e bese në sjelljen e kryetarit të Bashkisë me Presidentin e Republikës, thomani të ndërroj mëndje. Na kanë bërë kokën daulle për fjalë e besë të dhënë të malësorëve. E tani nëse gjeni shenjë fjalë-mbajtjeje tek gjithë këta që lëpinë atë që kishin pështyrë, thomani se edhe unë do ndërroj mëndje. Saliu e bëri proçkën dhe krisi e iku, duke ia lënë turpin në derë gjithë lezhjanëve, se në derë të tyre u pre miku në besë.

Halli ynë edhe sot mbetet ai përhershmi, se drejtohemi nga njerëz që kanë zbritur nga malet dhe kanunet e maleve nuk i zbatojnë më, por megjithëse kanë zënë qytetet, as ligjet e shtetit nuk u kanë hyrë ende në kokë. Të mëdyshur mes dilemës që të vjetrën e kanë lënë dhe të renë s’duan ta nxënë, shkojnë përpara vetëm me parimin ia futa dhe ia hodha, parim ky që s’ka nevojë as për kanun e as për ligj.

Gazeta “Shqip”

Top Channel