Vdekshmëria e nënave në lindje, e lartë

08/03/2012 00:00

Vdekshmëria e nënave gjatë lindjeve në Shqipëri ka ardhur në rënie gjatë
viteve të fundit, por mbetet sërish shumë herë më e lartë se sa normat e
vendeve të tjera të rajonit, bën të ditur agjencia Open Data.

Shkalla e vdekshmërisë mëmësore është numri i grave që vdesin gjatë shtatzanisë dhe lindjes, kundrejt njëqind mijë lindjeve të gjalla. Raporti bazohet në të dhënat e Bankës Botërore per vitet 1992-2011.

“Për vitet 2007-2011 vdekshmëria mëmësore qëndron në nivelin 31 vdekje për njëqind mijë lindje. Ky indikator ka ardhur në rënie pasi në vitet 1992-1996 shënohet në nivelin 44 vdekje në njëqind mijë lindje. Megjithatë Shqipëria ende qëndron në nivele tepër kritike. Vdekshmëria mëmësore në Europë është 5-7 nëna për 100 mijë lindje ndërsa në Shqipëri është ende 31 nëna për njëqind mijë lindje, pra afro 5 herë më e lartë,” thuhet në vëzhgimin e kryer nga Olta Begu, bën të ditur “Shqip”.

“Në krahasim me rajonin Shqipëria ka një tregues tëpër negativ. Ajo radhitet në mënyre alarmante si vendi me vdekshmëri mëmësore më të lartë në rajon. Në vendin tonë në cdo njëqind mijë lindje vdesin dy herë më shumë nëna se sa në Malin e Zi, dhe rreth katër herë më shumë nëna se në Maqedoni. Në krahasim me Greqinë në Shqipëri vdesin pesëmbëdhjetë herë më shumë nëna në njëqind mijë lindje,” thuhet më tej në raport.

Vdekshmëria e nënave gjatë lindjeve ka shumë faktorë, por ato që besohet se ndikojnë më së shumti në Shqipëri, është gjendja e keqe e shërbimeve spitalore.

Top Channel