“Top Story”: Ish të përndjekurit përballë politikës

08/03/2012 00:00

Kritikat e ndërsjellta Berisha-Topi arritën kulmin e tyre gjatë javës, me Presidentin e Republikës që “zhveshi” kostumin e pozicionit të tij shtetëror, duke i kërkuar kryeministrit që të japë shpjegim për fotografitë e shumta me ish-udhëheqës të kohës.

Reagimi i Topit erdhi pas sulmit të radhës nga Berisha, që në ditën e përvjetorit të sulmit të ashtuquajtur ndaj ambasadës sovjetike në Tiranë, akuzoi presidentin për mosfirmosjen e ligjit të lustracionit, që do të zbardhte emrat e bashkëpunëtorëve të komunizmit në sferat e larta të shtetit.

Megjithatë, përtej polemikave dhe akuzave të ashpra të ndërsjellta, duket se midis dy figurave kyçe të së djathtës, ka nisur një betejë për të tërhequr rreth vetes dy klasat tradicionale që kanë mbështetur demokratët, të përndjekurit dhe ish-pronarët.

E ndërsa pritet që së shpejti të lindë edhe një parti e re në sfondin politik shqiptar, këtë herë e udhëhequr prej Zotit Topi, në “Top Story”, emisionin e përjavshëm të drejtuar nga Sokol Balla, ish-të përndjekur folën për lidhjen e tyre me politikën në këto 20 vjet demokraci.

Simon Mirakaj, drejtor i Institutit të ish-të përndjekurve politikë, Kozara Kati, themeluese e qëndrës kombëtare të të drejtave të njeriut dhe ish-e përndjekur, Kurt Kola, themelues i Partisë së të Përndjekurve, Daut Gumeni, Besim Ndregjoni dhe Reshat Kripa, të cilët gjithashtu vuajtën vite burgim për arsye politike në periudhën e komunizmit, ishin pjesë e panelit të debatit në “Top Story”.

”Janë shekuj të tërë jetësh njerëzore të mbledhura bashkë dhe për këtë nuk ka asnjë lloj kompensimi të mundshëm. Sidoqoftë, duke marrë parasysh vendin ku ndodhemi, mundësitë e shtetit shqiptar, që në fillimet e tij, në vitin 1992, u bënë hapat e para për integrimin e kësaj shtrese. Më pas, në vitin 1994 u dha një dëmshpërblim me letra me vlerë, ku një vit burg u vlerësua me 1,2 milionë lekë letra me vlerë dhe në bazë të viteve të burgut dhe moshës u dha një sasi lekësh në dorë”, deklaroi Miraka, në nisje të emisionit.

”Të pushkatuarve iu ndanë tetë vjet letra me vlerë dhe dy milionë lekë dëmshpërblim. Me ardhjen në 2005 të qeverisë së ardhur nga Partia Demokratike, u hartua ligji i dëmshpërblimit, ku një ditë burg u vlerësua me 2 mijë lekë, pushkatimi, me të njëjtin vleësim si më parë dhe internimi i viteve 1945-54, me vendim parlamenti u quajt edhe ai burg, duke u vlerësuar me 1 mijë lekë në ditë”, shtoi Miraka.

Nga ana e saj, Zonja Kozara argumentoi burimin e pakënaqësive sipas saj. “Përse ka pakënaqësi? Jo vetëm që s’ka patur kompensim monetary, por edhe sikur të kishte patur, për këtë shtresë nuk ka kompensim nëse nuk ka të bëjë me integritetin moral të një pjese të shoqërisë, që për vite me radhë ka sakrifikuar jetën dhe janë vrarë pa fund njerëz të pafajshëm”.

”Dikush, kaloi 36 vjet në internim pa ditur përse dhe pyeste vazhdimisht se çfarë kishte bërë, të paktën ta dinte”, kujtoi Kozara. “Shumica e atyre që kanë vuajtur dënime dhe pushkatime, torturë psikologjike e fizike, natyrisht që meritojnë një vëmendje dhe respekt në nivel shtetëror. Kjo nuk ka ndodhur pasi me sa duket, nuk ka patur një kurajo për të kërkuar falje nga qeveria. Qeveria, si rregullatori i shoqërisë, duhet të të kërkojë ndjesë dhe të imponojë respektin ndaj atyre që sot s’gjejnë dot as mundësi për t’u integruar në shoqëri”.

Zoti Gumeni, ish-sekretar i presidentit Mejdani, me tone të ashpra, vlerësoi se asnjë qeveri e pas vitit 1992 nuk ka bërë diçka për të shlyer vuajtjet e tyre. “Në radhë të parë, dua të them se jam kundër tezës për rehabilitim mendor sepse kështu duket sikur jemi çmendur. E vërteta është që as jemi çmendur, madje ju siguroj që ka shumë më tepër pushtetartë të çmendur se sa ish-të burgosur. Kemi qenë të privuar nga liria, por unë nuk pres asgjë nga këto qeveri, pasi asnjëra prej tyre nuk e ka patur me të vërtetë demokracinë. Biles, ju them që më shumë pres nga brezi i ri, se sa nga këta, që ndryshe flasim dhe ndryshe zgjohen. Sot, unë duhet të shkoj tek ish-komunistët, që janë drejtora zyrash, për të marrë një listë me vërtetime që do të tregonin se kam qenë i burgosur dhe kjo është e papranueshme”.

Nga ana e tij, Kola sheh një tendencë të politikës për t’i lënë të varfra klasat e ish-të përndjekurve dhe të burgosurve. “Çështja është që këtu duhet të bëhet një panoramë e realitetit, pasi qeveria, asnjë qeveri nuk ka nevojë që ta mbrojnë njerëzit, sepse qeveritë mbrojnë veten. Unë mendoj se ndaj nesh është ndjekur një strategji e hollë që shtresa e të përndjekurve, të mbesi pa fuqi ekonomike, që të mos arrinim dot kurrë të merrnin pushtetin. Kjo është një strategji e marrë nga Rusia dhe është zbatuar me përpikmëri të hollë”.

Megjithatë, ekziston edhe një klasë tjetër e ish-të burgosurve, që mban një qëndrim më radikal. Në studio, me lidhje direkte erdhi Skënder Tufa, mik me ish-të dënuarin që tronditi opinionin publik me një tentativë vetvrasje disa muaj më parë, kur u ngjit në një vinç 84 metra të lartë në qendër të Tiranës. Së bashku me të, edhe Gjergj Ndresa, emri i të cilit u bë mediatik kur u përball fizikisht me deputetin e Partisë Demokratike, Ilir Rusmaili.

”Përplasja ndodhi në ditën kur varrosët një i burgosur politik. Shtetërët e sotëm janë ata që kanë mbajtur amanetet e ish-funskionarëve deri në fund, sa që pjesa më e madhe e jona janë sot në një gjendje të mjeruar. Zoti Kola dhe Gumeni kanë të drejtë dhe ne vlerësojmë vuajtjet e tyre, por fajtor janë pak edhe ata, sepse kanë drejtuar institute dhe kanë patur gjë në dorë, por vazhdojmë të jemi si çifuti në shkretërirë. Sot, ata që na përndoqën dhe na vranë, sekretarët e partisë dhe sigurimsat, kanë pallate dhe prona, pronat tona, ndërsa ne s’kemi bukë të hamë”.

Zoti Tufa, gjithashtu përdori terma shumë të ashpër në përshkrimin e gjendjes së mjeruar në të cilën gjendet sot kjo klasë. “U fol këtu për mangësitë e shtetit. Zoti drejtues i institutit (Simon Miraka), respektohet për vuajtjet që ka bërë, por sot është ushtar i ushtrisë së qeverisë që i shtyp të burgosurit politikë, që kanë një gjendje të mjeruar. Problemi nuk është vetëm ekonomia, por edhe politika që bëhet kundër kësaj shtrese. Ne duhet të ishim fitimtarët e demokracisë, por sot janë të humburit, pra komunistët ata që kryesojnë. Plagët e djeshme dhe të sotme flasin shumë, mbase të sotmet edhe më shumë. Listat e të kompensuarve janë një shou. U desh të ngriheshin dhe të bënim veprime jashtënjerëzore, duke hipur në ato vinca që kush i pa u rënqeth, pa patur lekë për një varrim të Grigor Zaharisë, u preftë në paqe. Në 21 vjet, shteti ka patur pa dyshim mundësi të mëdha, por nuk ka bërë absolutisht asgjë”.

Me Topin apo me Berishën?
Por kujt do t’i besojnë të përndjekurit politikë në konfliktin e fundit të lindur mes Presidentit Bamir Topi, që pas detyrës së kreut të shtetit pritet të udhëheqë një parti politike, dhe kreut të qeverisë e liderit të Partisë Demokratike, Sali Berisha?

Ish i përndjekuri Besim Ndregjoni tha se të përndjekurit duhet të zgjedhin atë forcë politike që ka një program real për ta: Njerëzit në një shoqëri të lirë politike, do të besojnë atë politikë që u jep një program real. Unë shoh ndërgjegjësim për këtë. Klasa politike nuk ka kërkuar akoma falje për krimet makabre të bëra ndaj shoqërisë shqiptare. Forca politike duhet të paraqesë një program real, atë do të votojmë. Shqipëria nuk ka dënuar akoma krimin komunist edhe sot në 2012 kur vendet e tjera e kanë bërë me kohë këtë.

Ndërsa Simon Miraka nga Instituti i ish të Përndjekurve Politikë tha se kjo kategori e shoqërisë shqiptare duhet t’i besojnë fakteve, asaj force politike që ka bërë më shumë për ta:- T’i besojnë fakteve dhe faktet janë nga ana e Partisë Demokratike. Partia Socialiste nuk ka bërë asgjë për ish-të përndjekurti politikë në 8 vite pushtet dhe si përfundim nuk bëri asnjë dëmshpërblim dhe përjashtoi nga puna ish-të përndjekurit. Sa i përket zotit Topi… Topi ka qenë drejtues i lartë në PD dhe në ato momente kur u zgjodh e kemi parë me simpati. Por për fat të keq ndodhi ajo që dihet nga të gjithë: nderoi ish-prokurorin, Skënder Breca.

Por Top Story solli në pamjet e një dokumenti të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në vitin 1992 ku si anëtar figuronte edhe emri i Skënder Brecës, i dënoncuar nga ish të përndjekurit si ndër prokurorët e regjimit komunist që dënoi ashpër dhjetra të pafajshëm.

“Në ‘92 ka patur shumë persona të diktaturës në administratë dhe Partia Demokratike nuk mund të hiqte që të gjithë njëherësh”, komentoi Simon Miraka.

Kurt Kola, ish-kryetar i shoqatës së ish të përndjekurve politikë, foli për partinë e tij që ndodhet në koalicion me Partinë Socialiste dhe se pse beson te kjo forcë politike e majtë për vendosjen në vend të drejtësisë për kategorinë që përfaqëson. Sipas zotit Kola, PS ka vendosur në programin e saj qeverisës, kërkesat e ish të përndjekurve: Nuk përkrahim qeverinë. Rama ka futur në programin politik të partisë së vet dhe ai me ardhen në pushtet, me angazhim ka deklaruar se për 2 vjet shlyen të burgosurit politik dhe ata mbi moshën 75 me një kest. Rama thotë se do të bëjë integrimin moral. Ka 20 vjet që propagandohet një obelisk dhe nuk bëhet, për të përndjekurit.

Por për ish të përndjekurin tjetër të ftuar në panel, Partia Socialiste është kundër interesave të kësaj kategorie e për këtë ai solli disa shembuj ndër vite, ku sipas tij, deputetët e PS-së kanë braktisur sallën e Kuvendit në kohën kur do të votoheshin ligje të rëndësishme për ish të përndjekurit: Në 2006 Partia Socialiste nuk pranoi votimin e rezolutës. Në 2007 bëhet ligji për të përndjekurit politik, Partia Socialiste del jashtë dhe në atë kohë kryetar ishte Rama. Më pas bëhet shtesa, sërish Partia Socialiste u largua. 

Top Channel