Tiranë, motër e vëlla nën hetim për vjedhje

08/03/2012 00:00

Policia e Tiranës ka nisur procedimin penal ndaj dy të miturve, motër e vëlla, dhe një 46-vjeçari për akuzën e “vjedhjes”.

Burimet zyrtare nga policia, sipas “Shqip”, bëjnë të ditur se filloi procedimi penal dhe punohet për shoqërimin e R. S., 12 vjeç dhe E. S.,13 vjeç, të proceduar më parë për “Vjedhje”.

Sipas të njëjtit burim mësohet se dy të miturit, rreth orës 21:30, të së martës, tek kryqëzimi i rrugës “Komuna e Parisit”, dyshohet se kanë vjedhur në një dyqan dy telefona celular tip “BlackBerry”.

Nga hetimet e kryera rezultoi se të miturit kishin për “bashkëpunëtor” 46-vjeçarin Xhevdet Toçi, banues në Tiranë, i cili tashmë është shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr.1. Mendohet se 46-vjeçari i shfrytëzonte të miturit për të vjedhur, duke përfituar nga mosha e tyre.

Ushtria e hajdutëve adoleshentë

Vjedhjet me autorë të miturit dhe adoleshentët po rriten me përmasa të frikshme. Pa arsim, pa profesion dhe shpesh jashtë kontrollit prindëror, një gjeneratë po shndërrohet në bombë sociale.

Të miturit vjedhin çdo gjë që konvertohet në para. Që nga bizhuteritë, portofolët, kapakët e pusetave dhe çdo gjë metalike, që mund të shitet për skrap. Çdo dite policia raporton arrestime të shumta në të gjithë vendin për të mitur, adoleshentë dhe të rinj që implikohen në vjedhje nga më ordineret deri tek me të sofistikuarat.

Por përballë kësaj rritjeje të krimit të vjedhjes, që po ndodhin në shkallë vendi dhe në pamundësi për
Vijnë nga mjedise të ndryshme shoqërore, por më të evidentuar janë të miturit me probleme sociale familjare, me prindër të divorcuar apo që nuk frekuentojnë shkollën.

“Aktualisht janë rreth 343 urdhra-ekzekutimi që mbikëqyren nga Shërbimi i Provës. 251 është numri total i personave të dënuar, të mitur, që kanë kryer vjedhjen në bashkëpunim dhe vjedhje në bashkëpunim e mbetur në tenativë”, thotë Erjon Duka, inspektor në Drejtorinë e Shërbimit të Provës.

Shefi i rendit në Policinë e Tiranës, Lorenc Shehu pohon se me problematike janë grupmoshat e reja, që vijnë nga një mjedis familjar me probleme sociale.

“Vijnë nga mjedise të ndryshme shoqërore, por më të evidentuar janë të miturit me probleme sociale familjare, me prindër të divorcuar apo që nuk frekuentojnë shkollën. Në fushën e vjedhjeve janë organizuar shërbime kryesisht në vende si zonën e tregjeve apo në zona publike të ndryshme”, thotë Shehu.

Per eksperten e psikologjisë ligjore dhe gjyqësore, Arjana Muçaj, ky fenomen është në rritje për shkaqe nga më të ndryshmet.

“E gjitha kjo është një rrjedhojë e një politike sociale të ndjekur, që nuk ka hapësira për këta të rinj që të marrin një kulturë, të kenë mundësi të angazhohen në vende të tjera. Kjo shoqëri duhet të punojë me këta adoleshentë dhe më vonë këta të rinj t’i gjejmë pjesë të shoqërisë tonë të denjë. Unë do të thoja që këto probleme sociale në rradhë të parë vijnë si pasojë e varfërisë. Ky është elementi kyç që shoqëria jonë po përjeton ditët e sotshme. Kam parasysh familje, të cilat nuk arrijnë të sigurojnë dot bukën e gojës dhe fëmija merr barrën përsipër të bëhet ai zoti i shtëpisë për të siguruar të ardhura”, thotë Mucaj.

Te paarsimuar, pa profesion dhe shpesh jashtë kontrollit të prindërve, nje gjeneratë e re po shndërrohet sot në një armatë vjedhësish, me premisa që në të ardhmen të implikohen në krime edhe më të rënda. Nga qendra e kryeqyteti deri në periferitë e fshatrave, adoleshentët jane të implikuar në numrin më të madh të vjedhjeve ordinere, të cilat shpesh kryhen edhe brenda familjes. Në këto kushte, sytë janë kthyer nga policia. Por ky nuk është thjesht një krim. Me shume se kaq ai është një problem i madh i shoqërisë me përmasat e një bombe sociale dhe si i tillë kërkon vëmendjen e të gjithë strukturave shtetërore dhe shoqërore. 

Top Channel