“Politika më e hapur për gratë”

08/03/2012 00:00

Si rrallë në praktikën e këtyre takimeve, Presidenti i Republikës Bamir
Topi dhe kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë ambasadori Eugen Wollfarth,
ndaluan pas takimit për të dhënë një prononcim për mediat.
Por, së pari, duke u u uruar 8 Marsin, u dhuruan gazetareve femra të pranishme, nga një lule.

Duke iu rikthyer takimit, presidenti tha se 3 kishin qenë temat që kishte diskutuar me ambasadorin Wollfarth: së pari, pjesëmarrja e grave në politikë, që normalisht duhet të nxitet nga kuotat gjinore të partive, në listat e zgjedhjeve.

“Unë nuk dëshiroj të jem kritik për partitë, por atë që thonë duhet ta realizojnë, ndonëse unë nuk kam qenë dakort me shifrat që kufizojnë qoftë edhe psikologjikisht pjesëmarrjen e grave”, tha Topi.

Tema e dytë e diskutimeve: Gjykata Administrative. Sipas presidentit, biznesi po e pret me padurim miratimin e ligjit për krijimin e kësaj gjykate specifike.

“Ramë dakort me ambasadorin, është e pakuptueshme pse vonohet miratimi i ligjit për Gjykatën Administrative. Kur të gjithë palët bien dakort, është një gjë që duhet të realizohet sa me shpejt”, tha Topi.

Së treti, në takim u prek cështja e pronave. Një cështje gangrenë, sipas presidentit, që bën me faj klasën politike.

“Nuk mund të jetë luksi i politikës që ta trajtojë çështjen e pronës si të dojë, duke dalë akte administrative pafundësisht, saqë edhe specialisti më i mirë i çështjes së pronave e ka shumë të vështirë të orientohet, kur një herë në muaj, një herë në dy muaj, dalin akte administrative dhe shtojnë konfuzionin”, tha Topi.

Ambasadori Wollfarth e cilësoi shumë të rëndësishme cështjen e reformës për pronën. Ambasadori shprehu edhe urimin, që në kuadër të reformës së ardhshme zgjedhore të rritet numri i grave në listat e partive dhe numri i atyre grave që do të fitojnë një mandat në parlament.  

Top Channel