Invalidët, protestë kundër qeverisë

07/03/2012 00:00

Të verbërit dhe paraplegjikët si dhe persona të tjerë me aftësi të kufizuara paralajmërojnë protestë para parlamentit ditën  e enjte më 8 mars, ku në mënyrë paqësore do t’u kërkojnë deputetëve të mos votojnë ndryshimet në ligjin për statusin e të verbërve dhe paraplegjikëve të cilat u prekin  atyre kompensimet që i bëhen për  energjinë elektrike, telefoninë dhe transportin publik.

“Me këtë protestë do t’u bëjmë thirrje deputetëve të mazhorancës dhe deputetëve të opozitës që të mos e votojnë këtë ligj. Të mendojnë ata sikur pranë tyre, në familjet e tyre jetojnë të verbër dhe paraplegjikë dhe atëherë do të kuptojnë se sa e vështirë është jeta për këtë kategori”, thotë Mybere Prizreni, Presidente e Shoqatës së Paraplegjikëve.

“Të mos i lihet dorë e lirë qeverisë, të mos përqendrohen kompetencat që ka parlamenti të mos ia delegojë qeverisë sepse bën një qeveri të fortë që në përputhje me mundësitë financiare që ka do të reduktojë edhe mbështetjen në beneficiet tona. Në kërkojmë që të mos miratohet ligji, nëse miratohet jashtë kërkesave tona, unë do ta bëj të qartë se ky do të jetë vetëm fillimi i ballafaqimit të institucioneve publike me këto kategori”, deklaron Sinan Tafaj, President i Shoqatës së të Verbërve.

Drejtuesit  e  dy shoqatave i bëjnë thirrje policisë të mos ushtrojë dhunë  ndaj këtyre personave që protestojnë për të drejtat e tyre, ashtu sikundër ndodhi në 21 maj 2009, para Kryeminsitrisë kur u dhunuan dy gra të verbëra.

Top Channel