Beteja e Berishës me Topin e Spahiun do të jetë e gjatë dhe e ashpër

07/03/2012 00:00

Ka bërë përshtypje sulmi i djeshëm që Bamir Topi i bëri Sali Berishës.
Ai është ende President, por për një moment vendosi të mos sillej si i
tillë.

Iu rikthye zejes së politikanit. Iu rikthye për të bërë atë që s’para e bën. Sulmoi egër, dhe me këtë u regjistruan dy lajme në të njëjtën kohë:

1. Bamir Topi hoqi dorë nga bon ton-i, që e ka karakterizuar gjithë kohën e që në fakt i del aq shumë nga rropullitë, sa shpesh ia marrin për dobësi e drojë, dhe

2. Bamir Topi hoqi kostumin e kreut të shtetit (ndonëse është ende në atë post), dhe veshi atë të politikanit aktiv, duke marrë pjesë në polemikat e debatin e ditës. Por duhet thënë se është tërhequr zvarrë në këtë debat. Kanë bërë çmos për ta nxjerrë nga binarët institucionalë, ku ai ka parapëlqyer të rrijë i ngujuar. Dhe ai i ka rezistuar ‘heroikisht’ zërit të sirenave të sherrit. Nuk hapi gojë as kur e etiketuan horr bulevardi, as kur u sulmuan me termalë të pistë krerë institucionesh të pavarur (lavire bulevardi, e quajtën kryeprokuroren), as kur s’iu bindën urdhrave të kësaj të fundit për të ndaluar disa krerë të Gardës së Republikës të dyshuar për vrasjet e 21 janarit, as kur bënë dekonspirimin e votës së tij të 8 majit, për të cilën vetë Presidenti pretendon se është trukuar me synimin për ta nxjerrë si ‘të majtë’ etj. Nuk e ka hapur gojën as gjatë kohëve të fundit, kur Berisha nuk ka ndenjur asnjë ditë pa e përmendur (të tjerët, me në krye Topallin, po se po). Dhe kështu kanë rrjedhur ngjarjet deri në ditën e djeshme, kur Topi i ka dhënë dum punës që të nxjerrë dhëmbët. Mund të qortohet për faktin që i ka ikur stereotipit presidencial të përkufizuar/modeluar nga Kushtetuta, por kjo kritikë do të ishte një sjellje prej lëkurëholli në një vend, ku ‘armiqtë’ e tij s’e kanë pasur për gjë – po bëj veç një ilustrim – të vrasin dhe njerëz të opozitës, e të mos dorëzojnë vrasësit. Madje, në këto kushte do kish qenë më e udhës që Presidenti të kish folur prej kohësh e të kish folur gjithë kohën; jo për të bërë sulme të natyrës politike, por për t’u thënë të tjerëve: mjaft më me sulme politike! E këtë gjë mund ta bënte në respekt, të madh edhe në detyrim, të Kushtetutës.

Ndërsa me sulmin e fundit ka dalë qartazi nga kufizimet kushtetuese. Berisha e të tijtë do i mëshojnë shumë këtij fakti, por për fatin e mirë të Topit, Berisha e berishianët nuk kanë titull e tagër për të qenë bartës shqetësimesh të tilla nazike. E për këtë arsye, nuk kanë për të tërhequr vëmendjen e askujt me tentativën e tyre për të denigruar Topin, duke u vënë me demek në mbrojtje të Kushtetutës. Por, edhe sikur në vend të Berishës të ish dikush tjetër me karta më të mira konstitucionale, Topi e ka alibinë. Ai është sulmuar në mënyrë banditeske. Ka dhe një alibi të dytë, që vlen aq sa mund të vlejë e atje ku mund të vlejë. Ai është në fund të mandatit presidencial; në botën anglosaksone do ta quanin një lame duck (në shqip: rosë e çalë), d.m.th. një funksionar, i cili, pikërisht ngaqë është në fund të mandatit, vijon të jetë në zyrë, por nuk ka fuqitë e zakonshme, rrjedhimisht nuk është tamam në zyrë. Janë të shumta kushtetutat që njohin një konsum moral të posteve të tilla, e prandaj e përkthejnë këtë konsum në ulje kompetencash. Shkurt, Topi ka dhe alibinë që të jetë një lame duck. Përtej këtyre alibive, ne të gjithë e dimë se në themel të këtij qëndrimi luftarak të Topit qëndron diçka tjetër. Ai me mendje nuk është më President i Republikës. Ai praktikisht është kryetar i një partie që pritet të shpallet. Dhe kjo është e gjithë çështja. Sherri mes tij e Berishës ka marrë formë pas 21 janarit, por ky sherr do të shuhej shpejt e shpejt, sikur të mos qe fjala për këtë partinë e re. Është kjo e fundit që ia ka prishur gjumin Berishës, dhe ia ka prishur më shumë se të gjitha paudhësitë që ka bërë, tok me të vetët, për të cilat ka frikë se mund të gjykohet një ditë. Partia e Topit, por dhe ajo e Spahiut, rrezikojnë të prishin keqas balancën elektorale; rrezikojnë ta prishin deri në atë fare feje, sa nuk do t’i hyjë më në punë asnjë KQZ, asnjë kolegj zgjedhor, asnjë bandë elektorale, asnjë mbështetje financiare, asnjë blerje në ‘gabin’ tonë politik e asnjë aleat ndërkombëtar. Dyshja Topi-Spahiu janë të vetmit armiq të tij. Rama është ana tjetër e peshores, ai është në ngastrën e vet, është ai që është, është ashtu si është, është në fund të fundit një variabël i llogaritur në ekuacionet për pushtet, ndërsa këta të dy i duken Berishës si të paftuarit krejt të padëshiruar në një darkë ku askush s’ka mundur të ulet pa amenin e tij. Këta të dy ia bëjnë lëmsh llogaritë. E prandaj, ai betejën tash e tutje e ka me këta. Dialektika do të pësojë vetvetiu një zhvendosje nga aksi PD-PS në aksin PD-Topi-Spahiu. Nuk dihet saktësisht në do të ketë qar PS-ja nga kjo luftë parazgjedhore mes të tjerëve, por është e sigurt që do të ketë qar nga situata paszgjedhore, së cilës në këto rrethana i njihet vetëm minoranca: Sali Berisha e banda e tij. Pse? Sepse Berisha nuk mund ta frenojë këtë dyshe të zhvillohet. Po t’i injorojë, i duket sikur i lë të punojnë të qetë e t’i marrin terren atij vetë; po t’i marrë në konsideratë për atë që janë (gjë që po e bën tani) e t’i bëjë tabelë qitjeje, i duket sikur i valorizon ca më shumë se sa duhet. Ai me siguri ka karta që s’i ka luajtur akoma (mund t’u ketë bëma të liga që mund t’ua nxjerrë në shesh, apo që mund t’ua sajojë, në momentin, që ai do ta gjykojë si të duhurin), por si zor që gjëra të tilla të kenë ndikim elektoral apo politik. Kjo është arsyeja pra që Berisha po vuan së fundmi. Mirëpo askush nuk mund ta shpëtojë tanimë. Kështu duket në këtë moment, të paktën.

Gazeta “Shqip”

Top Channel