100-vjetori i një shteti të dështuar

07/03/2012 00:00

Po shpërthejnë përsëri fishekzjarrët dhe duartrokitjet, po ngrihen
tribunat dhe propagandat, po kërcasin daullet e po hidhen valltarët me
fustanella a qeleshe.

Kinse për të festuar datën e lavdishme të pavarësisë së kombit. Por klasa e sotme në pushtet ushqen një gjakim të fshehtë. Kërkon që vitin jubilar të arritjes më të madhe të kombit, atë të krijimit të shtetit të parë shqiptar, ta përdorë për të trukuar pikërisht veprën e duarve të saj, dështimin e shtetit. Ka 100 vjet që, pavarësisht sistemeve, përsëritet i njëjti ritual. Ka 100 vjet që pikërisht gjeneratat e qeveritarëve dhe politikanëve, mobilizojnë festime demagogjike dhe populisto-nacionaliste pikërisht për të maskuar me “patriotizëm” krimin më të madh që i kanë bërë këtij kombi, rrënimin, grabitjen dhe sfilitjen e pafund të shtetit të tij të parë. Kështu ka ndodhur në kohën e monarkisë, kështu në kohën e diktaturës komuniste, kështu po ndodh edhe në kohën e “demokracisë”. E njëjta demagogji politikanësh plëngprishës të etur për të keqpërdorur edhe datën jubilare të kombit në funksion të një pushteti që ka çuar në vrasjen e shtetit. E njëjta tendencë për të maskuar sharlatanizmin dhe korruptimin rrënues për shtetin, me dashurinë “patriotike” për Skënderbeun, Ismail Qemalin apo Is Boletinin.

* * *

I bëjnë thirrje shqiptarëve të festojnë. Por çfarë ka për të festuar përveç atij akti patriotik që shkëputi Shqipërinë nga një perandori e kalbur që e kish skllavëruar për 500 vjet? Mos vallë duhet të festojmë si arritje vitet e mbrapshta të kaosit që pasuan ngjarjen e valëvitjes së flamurit kuqezi? Apo mos duhet të festojmë si arritje nja 15 vjet monarki të prapambetur. E meriton vallë të cilësohen si arritje shtetërore dhe të festohen 45 vjetët e diktaturës komuniste? Apo mos duhet konsideruar e tillë periudha postkomuniste e pseudodemokracisë që e ka kthyer në një agoni pa mbarim premtimin për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa?

Lavdia e shpalljes së pavarësisë kombëtare nuk mund të shërbejë më për të maskuar kryeveprën e tradhtisë kombëtare të qeveritarëve e politikanëve të sotëm, rrënimin e shtetit. Për shembull, Sali Berisha, nuk mund të maskohet me Skënderbeun sikundër bëri Enver Hoxha. Sepse ndryshe nga këta dy politikanë që kanë dominuar jetën e politikës shqiptare në 70 vitet e fundit, Gjergj Kastrioti bëri të mirën më të mundshme për kombin e vet. Ai i mobilizoi shqiptarët në luftë për të fituar lirinë nga turqit osmanë dhe kur ajo u arrit, iu blatoi lirinë atyre. Refuzoi të vetëquhej lirisjellës, Mesia, çlirimtar. Lirinë nuk jua solla unë, por e gjeta mes jush – i tha ai shqiptarëve. Më shumë se 5 shekuj nga ajo kohë, liria nuk gjendet mes shqiptarësh. Sepse liria është e mundur vetëm në një shtet me drejtësi, në një shtet që është produkt i kontratës së qytetarëve që nuk e gjejnë shpëtimin, duke u vënë në shërbim të qeverisë, por që e vënë qeverinë në shërbim të tyre, në një shtet ku qeveria nuk është zot i qytetarit, por qytetari zot i qeverisë. Shqiptarët nuk kanë mundur ta ngrenë dot një shtet të tillë. Edhe në sajë të qeveritarëve si Enver Hoxha apo Sali Berisha që të mbështetur nga elita zvarranike, nuk kanë ndihmuar për të emancipuar shqiptarët, po kanë shfrytëzuar injorancën, fanatizmin, varfërinë, dëshpërimin por edhe entuziazmin e turmave për qëllime pushteti. Këta liderë, ndryshe nga Skënderbeu, nxituan të lartësojnë kultet e tyre të mykura, duke u vetëshpallur sjellës të lirisë apo demokracisë, ndërsa shtypnin lirinë dhe demokracinë. Kur Enver Hoxha hyri në Tiranë në 1944, qeveria që ai kryesonte mbante emrin Qeveria Demokratike. Akti i parë i kësaj qeverie ishte burgosja e opozitës. Gjysmë shekulli më vonë, qeveria që kryesonte Sali Berisha u quajt Demokratike. Por edhe kjo nuk u përmbajt dot pa burgosur liderin e opozitës Fatos Nano. Inercia diktatoriale vazhdonte.

* * *

Skënderbeu është kryeheroi i lirisë kombëtare. Ismail Qemali, me aktin e tij flamurngritës, bëri që kombi të rifitojë lirinë e humbur. Por vepra e tyre është e lidhur kryesisht me lirinë nga pushtuesi i huaj. Pas kësaj niste një detyrë edhe më e vështirë, si t’i bëje shqiptarët të lirë nga vetvetja, si të ndërtoje një shtet me liri ku shqiptari të mos mund ta shtypte lirinë e shqiptarit, ku njeriu të mos bëhej vegël e njeriut, i dobëti viktimë e dhunës së më të fortit, një shtet të së drejtës, një shtet qytetarësh dhe jo skllevërish të nënshtruar të strukur nga frika e qeverive dhe e pushteteve. Mjerisht vepra kombëtare e Skënderbeut e Qemalit dhe e shumë patriotëve të tjerë, qëndron sot si një sfond i ndritur që nxjerr më në basoreliev veprën e palavdishme të 100 vjetëve nga dita e pavarësisë e këtej. Një vepër makabre shtypjeje, persekutimi dhe manipulimi të shqiptarëve nga pushtete dhe politikanë që nuk kanë pasur në zemër dedikimin për lirinë e bashkatdhetarëve por epsh për sundimin e tyre. Ndaj kanë punuar që në zemrat e shqiptarëve të mos mbijë psikologjia europiane e lirisë, por ajo orientale e nënshtrimit ndaj pushtetit dhe qeverive. Nënshtrimi, konfirmimi me pushtetin dhe frika nga ai, thuajse janë genëzuar në psikologjinë e shqiptarëve aq thellë, sa shtypja e djeshme vazhdon t’i shërbejë shtypjes së sotme. Psikologjia e skllavit të partisë dhe liderit me të cilën “janë brumosur” jo pak shqiptarë nën diktaturën komuniste, shfaqet si konformizëm me liderin dhe partinë, si fanatizëm i verbër edhe në “demokraci”. Enver Hoxha e vrau lirinë me pushkë, burg, propagandë. Sali Berisha po e vret me “demokraci” dhe me autokratizëm, me vjedhje votash dhe me kapjen e gjykatave. Pa harruar as propagandën. Le të thonë ç’të duan sahanlëpirësit e pushtetit të sotëm, por faktet janë kokëforta. Mbi 20 vjet nga rënia e komunizmit, shqiptarët nuk kanë ende liri dhe demokraci në kuptimin e vërtetë të fjalës. Që do të thotë të mos ketë shtet në kuptimin e vërtetë, modern në fjalës. Treguesi më i qartë i mungesës së lirisë është mungesa e drejtësisë. Ku nuk ka drejtësi, nuk mund të ketë liri. Por ka edhe tregues të tjerë. Është dështimi tashmë kronik në marrjen e statusit të kandidatit për në BE. Sepse Europa nuk pranon dot një shtet pa liri. Prandaj Shqipëria vazhdon të jetë shteti më i varfër i Europës. Sepse nuk përfiton dot nga avantazhet që ofron liria. Prandaj vazhdon të jetë një shtet me konflikte të ashpra politike për votën e lirë ku qeveria vjell zjarr vdekjeprurës mbi protestuesit. Sepse mungesa e drejtësisë nuk mund të mos komprometojë edhe demokracinë. Dhe pikërisht ai që është në krye të kësaj piramide antiliri dhe antishtet, rreket të krahasohet me Skënderbeun, duke deklaruar me gojën e lakenjve të tij propagandistë: demokracinë jua solla unë!

Gazeta “Shqip”

Top Channel