Misioni i BE-së për 12 prioritetet

06/03/2012 00:00

Një delegacion ekspertësh të Komisionit Europian po verifikon në Tiranë
plotësimin ose jo të 12 prioriteteve të caktuara për Shqipërinë nga
Bashkimi Europian.

Takimi konsultativ me qeverine shqiptare që do të zgjasë dy ditë ka nisur në Ministrinë e Integrimit. Diskutimi lidhet me verifikimin e planit te veprimit per zbatimin e 12 prioriteteve nga ku do të dalin edhe sygjerimet e këtij delegacioni. Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu fillimisht i ka bërë një rezyme hapave të hedhur deri më tani me shoqërinë civile dhe Komisionin Parlamentar të Integrimit për pasjen e një plani veprimi sa më efikas ashtu edhe sic kërkohet nga BE.

“Reformat janë të përbashkëta, votimi ligjeve sidomos ato me 3-5 at janë të përbashkët, as mazhoranca nuk i voton dot vetëm dhe mbi të gjitha integrimi europian i vendit nuk është vetëm axhendë e qeverisë dhe as e vetëm opozitës,por është interesi i përbashkët i të gjithë shqiptarëve”, tha Bregu.

Vasilis Maragos, shef i njësisë për Shqipërinë në Drejtorinë e Integrimit u shpreh se Plani i Veprimit është një pikënisje e mirë në plotësimin e 12 prioriteteve. Gjatë fjalës së tij ai disa herë ka theksuar se duhen jo vetëm plane në letër por mbi të gjitha zbatimi i tyre.

“Ky nuk është një proces vetëm i plotësimit të një liste me detyra, që i dërgohet Brukselit dhe më pas gjerat të harrohen. Duhen reforma konkrete, ndryshime konkrete që zhvillohen nga institucionet që shpesh kanë edhe ndikim në jetën e qytetarëve. Ne jemi këtu t’ju ndihmojmë por edhe të jemi rigoroz sepse vendet anëtare të BE-së presin nga ne, të jemi rigorozë, pasi sic e dini standardet janë tejet të larta”, tha Maragos.

Nota kaluese ose mbetëse për Shqipërinë në marrjen e statusit të vëndit kandidat do të mësohet në mbledhjen e tetorit të Komisionit Europian. Muajt në vazhdim janë vendimtarë për vendin tonë në plotësimin e 12 prioriteve ku katër prioritet e para janë tërësisht me karakter polit ku përfshihet reforma parlamentare dhe ajo zgjedhore dy cështje të nxehta që presin zgjidhje nga politikanët e mazhorancës dhe opozitës.

Top Channel