Përmirësohet situata në KESH

05/03/2012 00:00

Ngritja e temperaturave ka filluar të përmirësojë sadopak situatën
hidro-energjetike në vend. Të dhënat më të fundit të Korporatës
Elektroenergjetike Shqiptare tregojnë se prurjet në kaskadë janë rritur
në 320 metër kub në sekondë, gati dy herë më shumë se pak ditë më parë.

Aktualisht niveli i ujit në Liqenin e Fierzës, vazhdon të mbetet i ulët, rreth 257.2 metër, por që nga fundi i javës ai është rritur me rreth dy metër. KESH po prodhon aktualisht rreth 10 milionë kilovat orë në ditë nga hidrocentralet, ndërsa pjesa tjetër e energjisë sigurohet nga importi.

Drejtuesit e Korporatës bëjnë të ditur se edhe tregu rajonal i energjisë është përmirësuar, ku pas bllokadës që ndërmorën disa vende për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme, linjat janë rihapur. Aktualisht Shqipëria importon rreth 12 milionë kilovat orë energji në ditë nga tregu rajonal, import i cili kryhet nga të dy kompanitë KESH dhe CEZ në bashkëpunim me njëra-tjetrën. KESH thotë se do të vazhdojë të mbajë importen në këto nivele për të ruajtur rezervën vendase, me shpresen se rritja e prurjeve do vazhdojë ta permiresojë situaten edhe me shumë.  

Tirana pa drita

Tirana mbrëmjen e së hënës ka qenë në pjesën më të madhe të saj e mbuluar nga errësira. Qëndra e kryeqytetit nuk ka pasur energji elektrike që në orën 19.00.
 
CEZ njofton për defekt, por zona pa energji përfshin një pjesë të madhe të kryeqytetit.

CEZ njoftoi se për shkak të një defekti, pa energji ishin rrugët Ali Demi, Mihal Grameno, Pjetër Budi, Aleksandër Moisiu, Zona pranë ish-artistikes Migjeni, zona pranë Gjykatës së Apelit, rrugët Gani Domi, Murat Toptani, Sali Nivica, Zoja Cure, Ismail Qemali, zona pranë Piramidës dhe kulla ETC.

 

Top Channel