Durrës, vetëvrasje për kredinë bankare

05/03/2012 00:00

Huaja bankare dhe depresioni dyshohet të jenë motivet që kanë shtyrë dy kryefamiljarë t’i japin fund jetës në rrethin e Durrësit.

Një 50-vjeçar nga qyteti bregdetar u gjet i vrarë me armë zjarri automatike gjatë paradites në apartamentin e tij, në lagjen 11, përballë Gjykatës së Faktit.

Nga hetimet paraprake rezultoi se viktima ndodhej në vështirësi për shlyerjen e një kredie bankare, që kishte marrë për aktivitetin familjar që kishte.

Presioni nga banka dhe pamundësia për të likujduar shumën e kanë shtyrë atë drejt një gjendjeje depresive, që është mbyllur me vetëvrasje.

Ndërkaq, mëngjesin e sotëm, një tjetër vetëvrasje ndodhi në fshatin Koxhas të Shijakut, ku një 44-vjeçar që vuante nga një sëmundje e rëndë zgjodhi t’i jepte fund vuajtjeve shëndetësore me një pistoletë tip “TT”.

Burime policore bëjnë të ditur se dy viktimat i kanë përdorur armët e zjarrit në kohën kur në banesat përkatëse nuk ndodheshin anëtarë të tjerë të familjes.

Top Channel