Ç’na duhet gjykata administrative?!

05/03/2012 00:00

Leonard Boduri – E drejta për të hedhur në gjyq institucionet publike e ka origjinën në
filozofinë që qeverisja e shtetit kufizohet nga ligji, duke u bazuar te
parimi i epërsisë së ligjit.

Mirëpo, në vendin tonë qeverisja e shtetit nuk ka si model epërsinë e ligjit, por vetëm modelin e epërsisë së partive politike. Mosmiratimi i projektligjit të Gjykatës Administrative, një nga kushtet kryesore për integrimin në BE që ka pasur gjithashtu mbështetjen e fortë të SHBA-së pasqyron  më mirë se çdo gjë tjetër absurditetin e realitetit politik. Me bllokimin e projektligjit “Për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e drejtësisë administrative” që prej fillimit të vitit 2009, jo vetëm është arritur “ngrirja” e ndihmës së SHBA-ve për Gjykatën Administrative me një vlerë prej rreth 16 milionë dollarë, por është “garantuar” edhe politikisht vazhdimi i kalvarit të zvarritjeve të proceseve gjyqësore në dëm të të drejtave të individëve dhe bizneseve të cenuara nga veprimet apo aktet administrative të nxjerra nga organet publike.

Mirëpo nëse do të tejkaloheshin motivacionet e tipit “për inat të vjehrrës”, çfarë do të ofronte në shërbim të publikut të majtë, të djathtë dhe atij që e ka alergji me të drejtë politikën funksionimi i  Gjykatës Administrative? Në të gjithë botën e zhvilluar ky institucion mban barrën e përgjegjësisë për të ruajtur balancën e interesit publik nga njëra anë dhe të drejtave subjektive dhe interesave të ligjshme të qytetarëve nga ana tjetër. Në projektligjin e mbajtur pezull në Parlamentin e vendit kjo gjykatë është kompetente për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve që lidhen me veprimet administrative dhe marrëdhëniet e punës të rregulluara nga Kodi i Punës, në të cilat punëdhënësi është një organ publik. Pra, drejtësia administrative që synohet të arrihet nëpërmjet kësaj gjykate nuk i shërben vetëm komunitetit të biznesit, por i ka kushtuar një vëmendje të veçantë largimeve nga puna të motivuara politikisht në organet publike. Nëpërmjet funksionimit të një gjykate të tillë qytetarët që gjobiten nga policia rrugore, bashkiake, e ndërtimit, pyjore apo të tjera institucione publike nuk do të gjejnë në komisionet e apelimit, ku mund të kundërshtojnë vendimet e marra kundër tyre, po të njëjtën palë që ka hedhur firmën mbi gjobën e tyre.

Ndërkaq, në këndvështrimin e botës së biznesit gjykata administrative bëhet avokate e të gjitha  proceseve të licencimit të nevojshme për mbarëvajtjen e aktiviteteve, si dhe rrit transparencën e vendimeve administrative. Me anë të përshpejtimit të kohëve të proceseve gjyqësore, ky institucion mund të luajë gjithashtu një rol të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit. Në këtë mënyrë bizneset nuk do të kenë arsye të paguajnë nën dorë me qëllim që të marrin një leje, një licencë apo edhe disbursimin e shumave të përcaktuara në kontratat e realizuara me përpikmëri, pasi midis një procesi gjyqësor që nuk do të zgjasë pambarimisht dhe dhënies së ryshfeteve që mund të shmangin falimentimin e tyre, ata nuk do të zgjedhin më këtë të fundit. Kjo gjykatë e munguar jo vetëm do të shkurtojë kohën e përpunimit të çështjeve administrative, por edhe do të zhvendosë barrën e paraqitjes së provës nga një detyrim i palës së komunitetit të biznesit në drejtim të autoriteteve shtetërore. Nëpërmjet këtij ndryshimi organet publike vendosen përballë detyrimit që të provojnë ligjshmërinë e formës dhe të përmbajtjes të veprimit administrativ të nxjerrë prej tyre. Në këtë projektligj të mbetur në tentativë është parashikuar për herë të parë që drejtësia administrative të ketë të drejtë të caktojë gjobë (në masën 20% të pagës minimale në shkallë vendi për çdo ditë vonese) ndaj titullarit të organit publik kur shkelja e detyrimit për të paraqitur dokumentet nga organi publik edhe brenda afatit të caktuar, është e pajustifikuar.

Ndërkaq, një risi që do të vinte me anë të miratimit të këtij projektligji për sistemin e drejtësisë në vend është mundësia që ai siguron, duke bërë të mundur që çdo qytetar pavarësisht situatës financiare të ketë akses në drejtësinë administrative. Roli primar i këtij institucioni lidhet me të drejtat administrative të munguara që rregullojnë veprimtaritë e agjencive administrative të qeverisë mbi çështjet që lidhen me tatimet, dhënien e licencave, inspektimin e ndërtimeve, dhënien e lejeve, kundërshtimin e gjobvënieve ndaj bizneseve dhe individëve, largimet e pajustifikuara nga puna etj. Të gjitha çështjet e mësipërme parashikohen të trajtohen në dy shkallët e gjyqësorit administrativ në një kohë jo më shumë se 45 ditë, ndërkohë që aktualisht përpunimi i çështjeve dhe shtyrjet e shpeshta shpesh shkojnë nga disa muaj deri në disa vjet. Përveç kësaj, aktualisht gjykatat duhet të ndjekin procedurat më të hollësishme në periudha shumë të gjata edhe për rastet më të vogla të shprehura në terma financiarë. Nëse u referohemi statistikave, rreth 24 për qind e rasteve civile zgjasin mbi gjashtë muaj në Gjykatën e Shkallës së Parë, ndërsa në Gjykatën e Lartë mund të duhen vite deri në dhënien e vendimit.

Projektligji për Gjykatën Administrative, për të cilën të gjitha palët bien dakord se është me interes të madh publik si për komunitetin e biznesit ashtu edhe për qytetarët, çuditërisht nuk ka marrë konsensusin e partive parlamentare dhe të shndërrohet në ligj. Pavarësisht se miratimi i tij mund të jetë një faktor që do të ketë efekte të menjëhershme në frenimin e korrupsionit dhe të nepotizmit gjithashtu, të denoncuar me të drejtë nga opozita, për fat të keq duket se do të vazhdojë të jetë peng i arrogancës dhe retorikës boshe të atyre që na përfaqësojnë në Parlament. Shqiptarët do të vazhdojnë të përfaqësohen në Parlamentin e republikës së tyre nga përfaqësues që nuk i përfaqësojnë. Nuk kemi të bëjmë me një lojë fjalësh, por me një realitet të hidhur që tregon se si funksionojnë gjërat në këtë vend. Kjo mbase është një përpjekje për të thënë të vërtetën apo një mënyrë për t’u kërkuar ndjesë qytetarëve të vendeve mike të Shqipërisë, të cilët me anë të taksave të tyre janë përpjekur për vite me radhë të përmirësojnë gjendjen e vendit tonë. Le të shpresojmë se do të kemi në vazhdimësi mbështetjen e tyre pavarësisht arrogancës së shprehur nga ata që nuk na përfaqësojnë…

Gazeta “Shqip”

Top Channel