AK: Athina të shohë punët e saj

04/03/2012 11:10

Aleanca Kuqezi reagoi me forcë ndaj deklaratës së Ministrit të Jashtëm Grek, Stavros Dimas, i cili e konsideroi dënimin me një vit burg të Naum Dishos, për dhunimin e varrezave në Boboshticë, si një akt të turpshëm i drejtësisë shqiptare.

Pas një çështje të ngritur në Parlamentin Grek, kryediplomati helen deklaroi ditën e shtunë: “Departamenti i shtetit është plotësisht i informuar për zhvillimet në këtë padi. Ne kemi deklaruar tashmë në mënyrë të përsëritur se dënimi i Naum Dishos me një vit burg është një zhvillim i turpshëm për marrëdhëniet e minoritetit grek etnik në shtetin shqiptar, duke prekur, pa dyshim dhe marrëdhëniet e dy vendeve”.

Në një deklaratë për shtyp ditën e dielë, Aleanca Kuqezi vlerësoi si “skandaloze sjelljen e autoriteteve greke, që ndërhyjnë në punët e brendshme të një shteti sovran dhe të pavarur”.

AK konsideroi si të turpshme edhe sjelljen e Tiranës zyrtare, “që heshti përpara kësaj përdhosje të radhës së identitetit dhe dinjitetit kombëtar”.

Duke iu drejtuar autoriteteve greke, Aleanca i kërkoi Athinës që “të distancohet nga dhunuesit e varreve dhe të dorëzojë Dishon, për të vuajtur në Shqipëri dënimin e dhënë më parë nga Gjykata e Korçës”.

Naum Disho u dënua më parë gjatë vitit me një vit heqje lirie për dhunimin e varrezave të Boboshticës, me qëllimin e ngritjes së një kryqi për dy ushtarë grekë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Vendimi u la në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit, por ai u largua nga vendi pak ditë përpara se të ekzekutohej dënimi dhe besohet se ai ndodhet në Greqi, nën mbrojtjen e shtetit grek.

Top Channel