“Mos më gënje Argjentinë”

04/03/2012 21:00

Pak ditë më parë, “The Ekonomist”, një nga burimet më autoritare të informacionit ekonomik në botë, publikoi një lajm ku njoftonte se në mes të një mijë indekseve që boton ka marrë vendim për të hequr ato që vijnë nga statistikat zyrtare të Argjentinës. Arsyeja lidhet me besueshmërinë e tyre.

Argjentina, është një vend me histori hiperinflacioni, rritje e lartë çmimesh nga viti në vit, për shkak të politikave të mbrapshta. Por që nga vitit 2007, qeveria argjentinase po publikon shifra që thuajse asnjënjeri nuk i beson më.

Gjatë gjithë vitit të kaluar, INDEK, zyra kombëtare e statistikave publikoi një shifër inflacioni që luhatej nga 7-10 për qind sipas muajve. Ekonomistët e pavarur dhe shumë institucione të tjera të specializuara thonë se shifra reale është të paktën dy herë më e lartë.

The economist ironizon teksa shkruan, “Don’t lie to me Argentina”, në shqip “Mos më mashtro Argjentinë”, një referim i qartë i këngës legjendare, “Don’t cry for me Argentina”, nga muzikali kushtuar ish-zonjës së parë të vendit Evita Peron.
      
Rreziku i statistikave

Besueshmëria e statistikave është jetike për një ekonomi. Qeveritë janë gjithmonë të tunduara nga dëshira për t’i shmangur titujt negativ në shtyp, ndaj në jo pak raste zyrat e statistikave janë nën presion politik.

Në vendet me institucione të brishta dhe ku qeveritë kanë pushtet absolut gjasat që  shifrat zyrtare të manipulohen janë të larta. Dhe nëse kjo ndodh pasojat mund të jenë katastrofike. Individët mund të humbasin miliona, madje edhe gjithë kursimet e tyre, ndërsa bizneset mund të shkojnë deri në falimentim për shkak të vendimeve të marra në bazë të shifrave jo të vërteta. Por jo vetëm kaq. Në disa raste manipulimi i shifrave mund të gjunjëzojë edhe një komb të tërë ashtu sikur ndodhi në Greqi.

Në Shqipëri debati për statistikat u rikthye pasi maxhoranca votoi në kuvend një ligj, që e vendos institutin e statistikave nën varësinë e plotë dhe direkte të kryeministrit. Jo sepse deri tani instat nuk ka qenë i varur nga qeveria.

Skepticizëm për vërtetësinë e shifrave të tij, ka patur edhe më parë, jo vetëm nga opozita por edhe analistët e pavarur dhe institucionet ndërkombëtare si fondi monetar. Në këto kushte, ligji i fundit, edhe pse një ndryshim teknik, duket se e dëmton edhe më shumë besueshmërinë e statistikave.

Top Channel