Mbledhja e kredive te këqija

03/03/2012 00:00

Gjendja e vështirë e ekonomisë dhe rritja e kredive të këqija ka krijuar
në Shqipëri një treg të ri, atë të mbledhjes së borxheve.

Një kompani gjermane nga Hamburgu, e njohur për menaxhimin e borxheve të këqija, njoftoi se nga data 1 mars ka ka nisur zyrtarisht operacionet edhe në Shqipëri. Në faqen zyrtare të kompanisë, e cila është e pranishme në 27 vende të botës, njoftohet se vendimi për të hyrë në Shqipëri u mor pas kërkesave të shumta nga klientët e saj ndërkombëtarë, që operojnë në vendin tonë dhe duket kanë probleme me detyrimet e pashlyera.

“EOS” thotë se aktiviteti i saj konsiston në rekuperimin e borxheve të këqija për llogari të klientëve, që mund të jenë banka apo dhe kompani të tjera private. Sipas drejtuesve të saj, tregu shqiptar i borxheve është i ngjashëm me atë të vendeve të rajon.

Prej tre vitesh, ekonomia shqiptare po përballet me një rritje të fortë të borxheve të këqija. Krahasuar me vitin 2008, kreditë e pashlyera në banka janë rritur me gati 5 herë, nga 3.92 për qind e totalit në rreth 19 për qind. Por tregu i borxhit të keq nuk kufizohet vetëm tek bankat.

Ai tashmë është shtrirë edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë si energjia apo dhe ndërtimi, ku kompani private dhe publike kanë krijuar me njëra-tjetrën një zinxhir të ngatërruar borxhesh. Vetëm pak muaj më parë qeveria, Korporata Elektroenergjetike dhe CEZ u përfshinë në një konflikt të trefishtë borxhi. KESH denoncoi se CEZ nuk i paguan mbi 60 milionë euro detyrime, ndërsa kompania çeke nga ana tjetër pranonte të paguante me kusht që qeveria të shlyente borxhin që ka ndaj saj.  

Top Channel