“Twitter”-i gjetkë, dhe twitter-at “magjikë” të Edi Ramës

02/03/2012 00:00

Mustafa Nano – Ka ca kohë që Edi Rama ka zgjedhur “Twitter”-in si foltore publike.
Është i vetmi ndër politikanët e rëndësishëm të vendit që e ka bërë
këtë.

Sali Berisha nuk ka një llogari “Twitter”; e në përgjithësi, ai nuk duket të jetë një internaut i zellshëm; nuk ka llogari as në “Facebook”, nuk ka bërë publike ndonjë adresë elektronike, ku mund t’i postohen letra; ai është përpjekur të shitet si dashnor i madh i IT-së; ka folur për Steve Jobs-in, është parë me iPad-a në duar përpara kamerave, e ka ngjyrosur retorikën herë pas here edhe me përcaktorin ‘dixhital’, flet për internetin në çdo klasë e në shtëpi, e të gjitha këto tregojnë se e njeh rëndësinë e teknologjisë së lartë, e megjithatë, e vetmja gjë high tech, me të cilën ka rënë në dashuri, është telefoni celular. Ilir Meta nuk ka dhënë asnjë shenjë se është i dhënë pas internetit. Lulzim Basha përdori gjatë fushatës avantazhet që të japin rrjetet sociale e në përgjithësi interneti, por më pas nuk i janë gjendur gjurmë në botën online.

Rama nuk duket se bën dallim nga këta për sa i takon pasionit për këtë botë. Dhe ai nuk duket i pasionuar pas internetit (celularin e ka shndërruar në një gjymtyrë shtesë; e në këtë mes janë të gjithë njësoj, në fakt), por nuk ia ka lejuar vetes luksin të bëjë pa të. Pse vallë? Një nga arsyet duhet të jetë se “Twitter”-i, e shpikje të tjera të ngjashme, kanë magjinë e tyre, të bëjnë të dukesh trendy, të krijojnë mundësi komunikimi, e të rrisin mbështetje; por kjo është për të gjithë. Një arsye tjetër mund të ketë të bëjë me faktin që ai di të shkruajë; dhe në këtë pikë ua hedh të gjithë rivalëve e kolegëve; madje, këtu duhet kërkuar dhe një arsye pse të tjerët (Berisha, Meta, Basha) nuk përdorin “Twitter”-in e “Facebook”-un: duhet të kenë probleme të mëdha me gjuhën e shkruar shqipe, e rrjedhimisht me hedhjen në letër të ideve. Një arsye e tretë duhet të ketë të bëjë me faktin që Rama nuk qullos gjë kur ndodhet në studio televizive; në TV pra ai është i ngadaltë, i tjerr gjatë arsyetimet, hapërdahet, e nuk ka fuqinë të mbajë të tjerët të fiksuar pas ekranit. Lulzim Basha ia hedh në këtë drejtim. Edhe Ben Blushi është ku e ku më i zoti se Rama në pikëpamje televizive. Sali Berisha e shpon ekranin, e të vjen të ulet në divanin e shtëpisë, por pikërisht kjo forcë është dhe pika e tij e dobët; kush e adhuron, e adhuron edhe për këtë; kush s’e sheh dot me sy, s’e sheh dhe për këtë. Ndërsa Meta është një histori më vete; nuk hyn fare te komunikatorët.

Por kthehemi te “Twitter”-i. Ia vlen vërtet si mënyrë komunikimi? Rama ka mbi 22 mijë followers-a, dhe kuptohet, nuk janë pak në rrethanat shqiptare. Mirëpo nuk dimë se sa prej tyre janë aktivë me ndonjë tweet, sa prej tyre kanë të dhëna biografike në profilin e tyre, e sa prej tyre kanë followers-a të tyret, gjë që do na bënte t’i shihnim si followers-a pa hile. Newt Gingrich-in ‘e bënë për një lek’ vitin e shkuar, pasi zbuluan se 76% e ndjekësve të tij në “Twitter” (ishin gati një milion e gjysmë) nuk kishin të shkruar asnjë të dhënë biografike për veten në profil. U dyshua se ishin followers-a të paguar për të qenë të tillë. Askush s’i hyri hetimit (është dhe i pamundur, përveç të tjerash), por dyshimi mbeti.

Rama nuk e përdor “Twitter”-in për po ato qëllime që e përdorin të tjerët. Zakonisht mesazhet twitter mbeten të mbyllura aty, në “Twitter”, dhe kështu çdo gjë që thuhet vlen zakonisht veç për ata që janë followers-a. Lady Gaga, fjala vjen, shkruan çdo ditë mesazhe në “Twitter”, e duke përjashtuar ndonjë rast, këto mesazhe mbeten pa asnjë jehonë në publik (nuk po quaj publik 20 milionë followers-at e saj). Po kështu dhe mesazhet e të tjerëve, përfshirë politikanët.

Ndërsa Rama, duke e ditur mirë se sa përtace dhe e ngeshme është mass-media shqiptare, shkruan në “Twitter” për të komunikuar, jo me 22 mijë e kusur followers-at e tij, por me qindra mijëra të tjerë që bën vaki t’mos e dinë se ç’është “Twitter”-i. Janë lexuesit e gazetave dhe shikuesit e televizionit pra, që informohen prej gazetarëve mbi çdo gjë që thotë Rama në “Twitter”. Numërohen ndoshta pesë a gjashtë tweets-a (nga katër qind që ka shkruar) që mund të jenë injoruar nga redaksitë. Tweets-at e tjerë janë marrë shpejt e shpejt prej gazetarëve, dhe mbi to janë ngritur lajme, e janë krijuar polemika. Është bërë e udhës kjo punë tanimë. Madje, nuk po thonë më se bëhet fjalë për mesazhe “Twitter”; përkundrazi, thjesht informojnë se “kryetari i Partisë Socialiste është shprehur, se…”.

Duhet thënë se, për sa kohë që do të ndjellë interes gazetaresk, nuk është ide e keqe. T’ia dalësh të jesh në lajmet televizive për çdo ditë me tri-katër mesazhe, në një kohë që asnjë kamerë s’të ka filmuar, nuk është pak në terma të marketingut politik; dhe gjithçka bëhet pa konsum të zërit e të fytyrës (Berisha shqyhet mes kamerash vetëm e vetëm se do të jetë i pranishëm non stop). E prandaj, loja po funksionon. Mirëpo është një lojë që ecën vetëm në Shqipëri. Përsëris, në asnjë vend tjetër nuk mund të ndodhë që një mesazh twitter i dikujt të trajtohet ditë për ditë si lajm me rëndësi nacionale. Herë pas here mund të ndodhë, por ditë për ditë jo. Por për këtë s’duhet të bëjmë Ramën me faj.

Gazeta “Shqip”

Top Channel