Pas gati një viti e gjysmë në rënie, papunësia në Shqipëri u rrit sërish
në fund të vitit të kaluar. Të dhënat më të fundit zyrtare të
Institutit të Statistikave tregojnë se në tremujorin e katërt shifra e
papunësisë arriti në 13.29 për qind, krahasuar me 13.25 për qind që
ishte një tremujor më parë.

Sipas INSTAT-it numri i të papunëve në fund të dhjetorit arriti në 142 mijë e 950 vetë ose rreth 900 më shumë se sa tremujori i tretë. Në fakt edhe numri i të punësuarve ka vazhduar të rritet, sipas INSTAT-it me 2500 vetë gjatë periudhës tetor-dhjetor.

Por kjo rritje ka qenë më e vogël se sa rritja e forcës së punës, e cila arriti në mbi 1 milionë e 75 mije vete nga 1 milione e 72 qe ishte ne tremujorin paraardhes. Kjo ka bërë që shifra e papunësisë, e cila llogaritet si raport mes numrit të të papunëve dhe forcës punetore të vijojë të rritet.

Shqipëria ka aktualisht 165 mijë të punësuar në sektorin shtetëror dhe 260.7 mijë të tjerë në sektorin privat jobujqësor. Ndërsa pjesën e luanit e mban bujqësia, ku qeveria llogarit cdo fermerë që ka një tokë si të punësuar. Për rrjedhojë sektori bujqësor punëson aktualisht 54.3 për qind të të gjithë të punësuarve në vend, një shifër kjo ndër më të lartat në Europë dhe që në shumë raste komentohet me dyshim jo vetëm nga ekspertët e pavarur, por edhe institucionet e Bashkimit Europian.   
 

Top Channel