Gjuetia e paligjshme e Koranit

02/03/2012 02:15

Korani vijon të mbetet specie në zhdukje si pasojë e gjuetisë pa kriter që bëhet në ujrat e Liqenit të Ohrit.

Kjo ka bërë që në Liqenin e Pogradecit të ndërmerret një nismë për mbrojtjen e tij nga peshkimi pa kriter. Ministria e Mjedisit ka ndërmarë një aksion për eleminimin e rrjetave të peshkimit dhe gjobitjen e peshkatarëve kur është rreptësisht i ndaluar peshkimi i koranit të vogël specie unike e cila rritet vetëm në ujrat e Liqenit të Ohrit.

Sipas të dhënave puna është përqëndruar në gjetjen dhe eleminimin e rrjetave të fshehura në ujë nga peshkatarët të cilët e kanë të ndaluar gjatë gjithë vitit peshkimin e Koranit të vogël.

Nga puna e ndërmarrë në mbrojtje të peshkut të rrallë është arritur të sekuestrohen e më tej të digjen 5000 metër linear rrjeta peshkimi si dhe të gjobiten disa peshkatarë.
 
Edhe pse janë të paracaktuara për të peshkuar dhe të licensuara vetëm 100 varka sipas të dhënave me peshkimin merren thuajse dyfishi i tyre duke e rritur edhe më tepër rrezikun për zhdukjen e këtij peshku.

Për cdo vit në ujrat e Liqenit të Ohrit hidhen rreth 1 milion rasate për kryerjen e mbarrështimit të këtij peshku por pavarësisht kësaj sasie të madhe rezervat e koranit, po shterojnë.

Top Channel