Topi, dekorata për rezistencë ndaj regjimit

01/03/2012 00:00

Në një ceremoni publike Presidenti i Republikës Bamir Topi dekoroi sot
paradite një grup qytetarësh, disa pas vdekjes, për meritat e tyre në
rezistencën ndaj regjimit komunist apo për merita në lëvizjen
demokratike.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Avokati i Popullit Igli Totozani, drejtues të Shoqatës Mbarëkombëtare për Integrimin e të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë, familjarë, anëtarë të Kabinetit të Presidentit, si edhe Ambasadori i Danimarkës Karsten Ankjaer Jensen.

Të parët, Mark Nikollë Sokoli dhe Gjergj Nikollë Sokoli u shpallën “martirë të demokracisë” pas vdekjes, për sakrificat dhe qëndresën ndaj diktaturës komuniste. Me medaljen “Pishtar i Demokracisë”, Presidenti Topi dekoroi zotin Ardian Elezi, për veprimtarinë e tij në lëvizjen demokratike dhe kontribut në mbrojtje të të drejtave të të përndjekurve politikë. Me “Medaljen e Mirënjohjes”, për qëndresë ndaj diktaturës apo për pjesmarrje në lëvizjen demokratike, Presidenti dekoroi Raif Elezin, Gëzim Kalanë, Adrian Katin, Ylli Tasin, Ylli Tabakun, Feim Tamaz Iljazin pas vdekjes dhe Yllbardh Bodinakun. Të gjitha ata që e morën fjalën në këtë ceremoni, dëshiruan ta ndajnë këtë vlerësim me të tjerë.

Top Channel