Komunistët anti-komunistë

01/03/2012 00:00

Artan Lame – Profesor Gjerak Karaiskaj është një zotni i vjetër nga ata që na pëlqen
t’i quajmë specie në zhdukje. Studiues prej nja 30 a 40 vjetësh, njohësi
më i mirë i arkitekturës mesjetare e veçanërisht i asaj të
kështjellave, autor botimesh pa fund, gjithë jetën me frikë në zemër për
shkak të biografisë

Them kështu, se biografia e profesorit është gjithë cene. Ai është me prejardhje nga një familje prej asaj që mund të quhet aristokracia e vjetër shqiptare, mbiemri e lidh direkt me një prej themeluesve arvanitë të Greqisë, atij që grekëve u vjen për mbarë ta quajnë Jorgos Karaiskaqis e që për ne i bie të jetë Gjergj Karaiskaj. Po si të mos mjaftonte kjo, nga ana tjetër Profesori është i lidhur me familjen e famshme të Karaosmanëve të Elbasanit, prej atyre që kontribuuan aq shumë në Pavarësinë e Shqipërisë.

Mendoi Profesori se hallet e tij mbaruan me mbarimin e komunizmit, por në fakt më zi e trajtuan komunistët që u bënë antikomunistë, sesa komunistët e dikurshëm. Nuk kam ndërmend të rreshtoj këtu se ç’i kanë bërë në gjithë këto vite për shkak të urrejtjes patologjike të të paaftëve ndaj intelektit elegant, por do sjell vetëm dy historiza.

Para ca vjetësh, vjen një ekip profesorësh gjermanë dhe, gjatë takimeve në Ministri të Kulturës kërkuan të takonin edhe profesor Gjerakun (meqë ra llafi, Profesori shumicën e librave tani i boton direkt në gjermanisht, që e zotëron me themel, se më mirë e kuptojnë gjermanët sesa shqiptarët). Myteberët e Ministrisë, që s’e kanë dashur asnjëherë, panë njëri-tjetrin për një moment dhe pastaj duke ndryshuar fytyrë u thanë: “Profesori ka vdekur”. Po, po, pikërisht kështu, u thanë gjermanëve që Profesori nuk rronte më. Gjermanët ikën pa e takuar dot Profesorin për herë të fundit dhe punës i doli era kur nga Gjermania dërguan letra ngushëllimi në familje dhe aty morën vesh se profesori qenkësh gjallë e shëndoshë për fat të shkencës, por rezultonte i vdekur në dëshirat e Ministrisë. Aso kohe kjo punë u mbyll me një të qeshur dhe me psherëtimën e përjetshme të të mençurve që qeverisen nga të marrët.

Kaluan vite dhe s’ka ca ditë që tek “Top Show” i Dudushit debatohej për marrëzinë e radhës, atë të dhënies me qira të monumenteve të kulturës. Më njërin krah, ulur pranë ministrit Bumçi ishte zoti Neritan Ceka, që pasi e kemi dëgjuar gjithë jetën të flasë për trashëgiminë, tani në fund të karrierës i është vënë me mish e me shpirt të shkatërrojë ç’ka thënë gjithë jetën. Vetë profesor Gjeraku nuk ishte në atë debat, por me ironinë e tij të hollë është shprehur publikisht sa ka mundur kundër kësaj nisme ogurzezë. E pra, gjatë atij debati, dikush ndër të tjera citoi edhe Profesorin dhe argumentet e tij. Nga përballë mbërriti menjëherë një përgjigje zë-akullt e zotit Ceka: “Gjeraku nuk është më”, duke mos e çuar deri në fund frazën. Epo kaq për zemër e paskan këta njerëz ta shohin Profesorin të shkojë në atë botë, sa nuk lënë rast pa ja uruan vdekjen! “Ymërgjati s’bëhet ymërshkurtër”, thosh dikur ime gjyshe, ca shqip e ca turqisht, siç e kish ajo kohë.

Meqë e kisha llafin tek profesor Gjeraku. Në moshë të thyer tani, i gjendur në vështirësi ekonomike, bën kërkesë për pension të posaçëm. Për hir të së vërtetës, Ministria ja aprovoi kërkesën dhe ja kaloi Qeverisë për miratim. Atje në Qeveri, tek Ustai i Madh, emrit të tij ju hoq vizë. Sa për kuriozitet, në listën që u miratua në atë mbledhje qeverie, pensionin e fitoi ndër të tjerë edhe një ish-drejtor i Parkut të Makinave. “E meritonte, – më thosh Profesori me ironinë e tij dashamirëse, – ishte kujdesur gjithë jetën që makinat e shokëve të udhëheqjes të mos pësonin asnjë defekt (!!!)”.
VLERA E NJE SMS-JE

I bëjmë një kërkesë si Forum i Trashëgimisë, Komisionit të Kulturës në Kuvend, për seancë dëgjimore. Deshëm të shprehim argumentet tona se pse është një marrëzi e paanë aksioni i ndërmarrë nga Instituti i Monumenteve për të dhënë me qira palcën e trashëgimisë sonë kulturore. Kërkesa na u miratua dhe këtu fillon ajo që dua të them.

Një javë para seancës më marrin në telefon nga Kuvendi për të më komunikuar zyrtarisht miratimin dhe më thanë të shkoj për të marrë shkresën përkatëse. Shkova në zyrat e Kuvendit tek protokolli, ku m’u dorëzua një shkresë me nr. prot, me firmë e me vulë. Një ditë përpara seancës, më morën në telefon për të më kujtuar edhe një herë. Mëngjesin e seancës, sekretarja e Komisionit më telefonoi dhe më kërkoi emrat e personave që do të vinin në seancë. Këtë e donte për t’ua kaluar rojeve të Gardës tek porta për fletëhyrjet. Kur shkuam atje, na u dhanë fletëhyrjet dhe na priti një sekretar tjetër. Kaluam të shoqëruar nëpër korridoret e gjata deri në sallën e Komisionit. Atje, grumbujt e gazetarëve përgatisnin mikrofonat, sekretaret u shpërndanin deputetëve dosje të parapërgatitura me çështjen që do të diskutohej, të tjerë bënin gati blicet e të tjera përgatitje.

Seanca shkoi shumë mirë. Folëm të gjithë, Muçi, Gjeraku e të gjithë me radhë. Na bënë pyetje sa deshën të gjithë deputetët, të majtë e të djathtë. Mbajtën shënime e mbajtëm shënime edhe ne. Ndërsa flisnim mikrofonat e regjistruesit spostoheshin sa tek njëri tek tjetri. Në një anë të sallës, dy sekretare mbanin shënim e regjistronin gjithë ç’ka thuhej për ta zbardhur e depozituar në arkivin e Komisionit.

Të gjitha këto e të tjera hollësi më futën në të tjera mendime. Ja që qenkemi në gjendje të ngremë infrastrukturë shteti, apo atë që quhet performancë shtetformuese, me zyra, sekretarë, shkresa, vula, regjistra, dosje, komisione e me the të thashë. Dhe madje, edhe jemi në gjendje t’i bëjmë të funksionojnë si sahat, megjithëse që të gjitha kushtojnë e për t’i mbajtur duan pará. Madje, edhe deputetët, për sa kohë nuk kanë marrë urdhër partie, tregohen realisht të interesuar për çështjen dhe të prirur për të ndihmuar.

Por pastaj, e gjitha kjo mund të bjerë përtokë e të shkojë për dreq, me një SMS të vetme të Ustait të Madh tek Ministri përkatës, të llojit: “miratoje filan projekt urgjent”, dhe të gjitha këto i merr lumi. Ky është problemi ynë sot, jo paaftësia për të bërë shtet, se në 100 vjet sikur ç’të ishte do ta kishim mësuar. Problemi është se nuk bëjmë dot që shteti të shërbejë për të mirën e përbashkët dhe jo thjesht si fasadë për pushtetin e radhës.

Gazeta “Shqip

Top Channel